Qendra serbo-ruse merr mbi dy milionë euro nga buxheti i Serbisë
Qendrës humanitare serbo-ruse i janë ndarë pothuajse 2.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Megjithatë, nuk ka shpjegime se si janë shpenzuar ose shpenzohen ato para. Autoritetet në Beograd dhe Moskë prej vitesh nuk u përgjigjen pyetjeve për…
Lajme
Qendrës humanitare serbo-ruse i janë ndarë pothuajse 2.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, nuk ka shpjegime se si janë shpenzuar ose shpenzohen ato para.
Autoritetet në Beograd dhe Moskë prej vitesh nuk u përgjigjen pyetjeve për punën dhe financimin e kësaj qendre të përbashkët, që gjendet në Nish, në jug të Serbisë, dhe është themeluar për ndihma në situata emergjente.
REL-i, përmes një kërkese për qasje në informata me interes publik, ka siguruar të dhënat e para për ndarjet vjetore të Serbisë për këtë qendër.
Që nga viti 2014, qendra ka një llogari të posaçme që përdoret për transferimin e mjeteve nga buxheti.
Përgjigjja e Drejtorisë së Thesarit pranë Ministrisë së Financave të Serbisë tregon se në këtë llogari janë derdhur më shumë se 268 milionë dinarë, apo 2.29 milionë euro.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qendra, Ambasada e Rusisë, Qeveria e Serbisë dhe ministritë e saj nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me rolin dhe financat e saj.
Qendra serbo-ruse është themeluar para 14 vjetësh me marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
Moska e përshkruan atë si “më të rëndësishmen në Ballkan” për reagim ndaj situatave emergjente dhe fatkeqësive natyrore.
Pajisjet për shuarjen e zjarrit, automjetet dhe poligonet e trajnimit ndodhen pranë aeroportit të dytë më të madh në Serbi.
Sipas rregullit, Qendra reagon me thirrje të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë.
Megjithatë, shtetet perëndimore kanë shprehur dyshime se bëhet fjalë për përpjekje për krijimin e një baze të inteligjencës dhe ushtarake, duke vënë në dukje edhe afërsinë e Qendrës me bazën ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Si u pagua Qendra?
Në përgjigjen e Departamentit të Thesarit thuhet se Qendrës serbo-ruse iu paguan para nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Edhe pse llogaria e Qendrës ka qenë aktive që nga viti 2014, raportet e dorëzuara nuk tregojnë pagesa për dy vjetët e parë.
Të dhënat e para janë për vitin 2016.
Shumat vjetore ndryshojnë dhe ato u rritën në mënyrë drastike në vitin 2024, kur Qendrës iu paguan rreth 55 milionë dinarë, apo 470 mijë euro, nga buxheti i Serbisë.
Vitin pasues, më 2025, ajo mori 48 milionë dinarë, apo 410.000 euro.
Si qëllime për pagesat janë shënuar “tregtia e mallrave dhe shërbimeve”, “grantet tjera kapitale për organizatat ndërkombëtare” ose “transaksionet tjera”.
Por, nuk ka sqarime më të detajuara – për shembull, a shpenzohet ky fond shtetëror për paga, blerje pajisjesh, aktivitete të Qendrës apo për diçka tjetër?
Nuk ka as raporte publike për punën e saj.
“Niveli kaq i lartë i mungesës së transparencës në lidhje me financimin, menaxhimin dhe statusin e institucionit që përdor fonde publike, ngre pyetje për legjitimitetin, përgjegjësinë dhe mbikëqyrjen e duhur të veprimtarisë së tij”, thotë për Radion Evropa e Lirë Maja Bjellosh, nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd.
Kush e financon Qendrën serbo-ruse?
Sipas marrëveshjes ndërqeveritare të vitit 2012, për Qendrën janë përgjegjëse Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Mbrojtje Civile dhe Situata Emergjente.
Ajo do të duhej të regjistrohej si organizatë humanitare ndërqeveritare pa qëllime fitimi.
Por, bazat publike të të dhënave në Serbi nuk tregojnë nëse një gjë e tillë është bërë realisht.
Qendra ka numrin e vet unik dhe tatimor, por nuk figuron në bazën e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë.
Këtu mund të shihej nëse Qendra ka me të vërtetë statusin e një organizate ndërqeveritare.
Në marrëveshjen me të cilën Beogradi dhe Moska themeluan Qendrën, thuhet se puna e saj mund të financohet nga buxhetet shtetërore, grantet dhe donacionet, ose nga të ardhurat që Qendra gjeneron duke ofruar shërbime, siç janë trajnimet.
Përveç llogarisë pranë Zyrës së Thesarit, e cila përdoret për transferimin e parave shtetërore, Qendra serbo-ruse ka edhe 16 llogari bankare.
Ato janë hapur në të njëjtën ditë, më 15 shkurt 2023, në bankën private Aik.
Nga kontrolli në regjistrin e Bankës Qendrore të Serbisë, REL-i konfirmoi se të gjitha janë aktive.
Nuk dihet nëse këto llogari shërbejnë për financimin shtesë të Qendrës, kush i dërgon paratë dhe për çfarë arsyesh – edhe pse REL-i kërkoi sqarime nga Qendra.
Më herët, REL-i ka konstatuar se Serbia ka financuar kompleksin pranë aeroportit të Nishit me 1.8 milion dollarë, ku Qendra ndodhet që nga viti 2012.
Qendra humanitare serbo-ruse ka deklaruar atëkohë se pala ruse ka investuar 41 milionë dollarë.
Por, se si paguhen sot punonjësit, pajisjet dhe shpenzimet e tjera, REL-i nuk ka marrë përgjigje as nga Qendra, as nga autoritetet e Serbisë dhe Rusisë.
Po ashtu, nuk ka të dhëna zyrtare se sa punonjës ka Qendra.
Në faqen e saj janë të disponueshëm vetëm emrat e drejtorit dhe zëvendësit të tij, nga pala serbe dhe ajo ruse.
Për emërimet e tyre nuk ka vendime zyrtare.
Kush trajnohet në Qendrën serbo-ruse?
Qëllimi zyrtar i Qendrës humanitare serbo-ruse është të ofrojë mbështetje në situata emergjente, si aksidente dhe katastrofa natyrore.
Sipas komunikatave dhe postimeve në rrjetet sociale, fokusin e ka në trajnimin e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve nga Serbia, studentëve dhe nxënësve, vullnetarëve dhe alpinistëve.
Sipas raportit të Qendrës për vitin 2025, rreth 1.300 persona kanë marrë pjesë në këto trajnime.
Instruktorët, shumë prej të cilëve vijnë nga Akademia e Ministrisë së Mbrojtjes Civile të Rusisë, i kanë trajnuar për parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Mes pjesëmarrësve ka pasur kryesisht anëtarë të Sektorit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Po ashtu, në Qendër janë trajnuar edhe njësitë e zjarrfikësve të Industrisë së Naftës së Serbisë, e cila që nga janari i vitit 2025 është nën sanksionet amerikane, për shkak të pronësisë kryesisht ruse.
Në trajnim kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Administratës Republikane të Mbrojtjes Civile të entitetit Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.
“Për shkak të mungesës së transparencës lidhur me aktivitetet dhe rezultatet, është e vështirë të vlerësohet me siguri madhësia reale dhe kontributi i Qendrës në mbrojtjen civile”, vlerëson Bjellosh.
Gjatë vitit 2025, Qendra vuri në funksion një poligon të ri trajnimi për zjarrfikësit dhe shpëtimtarët.
Se sa ka kushtuar dhe kush e ka paguar, REL-i nuk ka siguruar përgjigje.
Qendrën humanitare serbo-ruse e kanë vizituar delegacione nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Situata Emergjente, të udhëhequra nga zyrtarë të lartë rusë.
Gjatë dy vjetëve të fundit, anëtarët e Qendrës kanë marrë pjesë edhe në stërvitje në Rusi dhe në Bjellorusi.
Kush kërkon përgjigje për punën e Qendrës?
Se çfarë bën Qendra humanitare serbo-ruse, e ka pyetur edhe Bashkimi Evropian Serbinë.
Në një përgjigje për REL-in, Brukseli kujton se që nga viti 2023 ka kërkuar që Serbia të japë informacione për aktivitetet e Qendrës në Nish.
“Është e rëndësishme të sigurohet që aktivitetet e Qendrës të jenë plotësisht në përputhje me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, ku Serbia është anëtare, si dhe me detyrimet më të gjera të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Qendra si ajo në Nish, bazuar në marrëveshjen ndërqeveritare me Rusinë, nuk ekzistojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërsa Serbia, si anëtare e Mekanizmit evropian të Mbrojtjes Civile, ka përdorur ndihmën e BE-së disa herë – për shembull gjatë pandemisë së koronavirusit, ose për shkak të përmbytjeve shkatërruese të majit 2014.
Sektori serb i mbrojtjes civile ka marrë deri tani nga Brukseli më shumë se 250 milionë euro ndihmë, tregojnë të dhënat e delegacionit të BE-së në Serbi.
Bashkimi Evropian, në përgjigjen e tij për REL-in, thekson se dëshiron të llogarisë te Serbia si një partnere e besueshme.
“Siç kemi theksuar disa herë, marrëdhëniet me Rusinë dhe regjimin e Vladimir Putinit nuk mund të jenë ‘të zakonshme’, derisa Rusia bën një luftë agresive, të pabazuar dhe të paarsyeshme në tokën evropiane të Ukrainës”, sipas BE-së.
Pavarësisht thirrjeve të Brukselit, Serbia refuzon që nga shkurti i vitit 2022 të vendosë sanksione kundër Kremlinit.
Marrëdhëniet e ngushta mes zyrtarëve të Beogradit dhe Moskës nuk janë ndërprerë.
Gjatë viteve të kaluara, vëmendje të veçantë ka tërhequr kërkesa e Rusisë që Beogradi t’i japë status diplomatik stafit të Qendrës serbo-ruse.
Bëhet fjalë për një status të veçantë, që sjell privilegje të caktuara, si liri lëvizjeje jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon, si dhe imunitet në rast të kryerjes së ndonjë vepre penale në territorin e Serbisë.
Deri tani, autoritetet në Serbi nuk e kanë miratuar një status të tillë për Qendrën, por nuk kanë dhënë përgjigje për REL-in se çfarë po ndodh me atë kërkesë.
Ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq, kujton se Perëndimi ka qenë kategorikisht kundër që Qendra të merrte status diplomatik, për shkak të dyshimeve se roli i saj shkon përtej mandatit humanitar.
“Mendojnë se është një fole inteligjence e Federatës Ruse në Ballkan, një qendër e shërbimeve informative. Kështu e trajtojnë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Këto akuza janë mohuar ndër vite si nga Qendra, ashtu edhe nga autoritetet në Serbi.
Mbylljen e Qendrës në Nish e ka kërkuar edhe një pjesë e opozitës në Serbi, duke bërë thirrje për shfuqizimin e marrëveshjes ndërqeveritare, mbi bazën e së cilës është themeluar.
Gjukiq nuk sheh gatishmëri tek autoritetet serbe për një hap të tillë.
“Ato nuk janë as të afta, as të guximshme për ta shfuqizuar. Qendra nuk i pengon, madje mund t’u shërbejë si mbështetje, sepse lidhjet e autoriteteve me Rusinë kanë të bëjnë me çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, si marrëdhëniet me Kosovën dhe sektori i energjisë – nafta dhe gazi”, thotë Gjukiq.
Ai vlerëson se ekzistenca e Qendrës është e rëndësishme edhe për Moskën, veçanërisht në kohën e konfrontimit me Perëndimin, pas pushtimit të Ukrainës.
“Për Rusinë është shumë e rëndësishme që Qendra të mbetet, nga aspekti politik dhe i sigurisë. Sepse, sipas përkufizimit, Qendra bën pjesë në sektorin e sigurisë, i cili është mjaft i ndjeshëm, fleksibël dhe mund të shfrytëzohet në situata të ndryshme”, thotë Gjukiq.
Qendra të ngjashme për emergjenca ekzistojnë edhe në shtete të tjera me të cilat Moska ka marrëdhënie të mira politike, si disa ish-republika sovjetike.
Armenia është ndër vendet ku Moska ka një qendër tash e dhjetë vjet, e cila bashkëpunon me atë në Serbi.