“Qe 23 vjet e kam numrin, do ta ndërroj” – Qytetarët të zhgënjyer me Valën

Problemet e vazhdueshme të operatorit mobil “Vala” me thirrjet telefonike dhe internetin, kanë bërë që shumë qytetarë të ankohen për shërbim të dobët. Ani pse ata kanë mbi dy dekada që përdorin shërbimet e operatorit “Vala”, thonë se kohëve të fundit po kanë vështirësi gjatë realizmit të thirrjeve dhe përdorimit të internetit. Disa nga ta…

Lajme

29/06/2024 17:24

Problemet e vazhdueshme të operatorit mobil “Vala” me thirrjet telefonike dhe internetin, kanë bërë që shumë qytetarë të ankohen për shërbim të dobët.

Ani pse ata kanë mbi dy dekada që përdorin shërbimet e operatorit “Vala”, thonë se kohëve të fundit po kanë vështirësi gjatë realizmit të thirrjeve dhe përdorimit të internetit.

Disa nga ta janë “të përbetuar” se nuk do ta ndërrojnë operatorin pavarësisht parregullsive, e disa të tjerë thonë se do të shikojnë opsione të tjera.

Qytetari Ferik Milaimi shprehet i dëshpëruar me shërbimet e Valës, pasi shpeshherë nuk mund të realizojë thirrje dhe nuk funksionon interneti. Ai thotë se ka mbi 20 vjet që është konsumator i këtij operatori dhe për shkak të punës nuk mund ta ndërrojë numrin.

Edhe Mexhit Krasniqi tregoi se shpesh hasin në probleme me shërbimet e Valës. Ai thotë se arsyetimi është se “po punohet që të forcohet rrjeti”. Pavarësisht kësaj, Krasniqi është optimist se do të rregullohet rrjeti, derisa shprehet se nuk ka menduar ta ndërrojë numrin.

Po ashtu, edhe Mirsad Krasniqi, klient i Valës që nga vitet e pasluftës, theksoi se duhet të thërrasë disa herë një numër për shkak të problemeve teknike. Ai paralajmëron se do të heqë dorë nga shërbimet e Valës nëse vazhdon një gjendje e tillë.

Isuf Metolli tha se në fillim gjithçka ishte në rregull më këtë operator mobil, porse kohëve të fundit nuk është i kënaqur me atë se çfarë po ofron Vala. Edhe Metolli potencoi se do të vazhdojë të jetë klient i Valës, pavarësisht pakënaqësive.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja tha përmes telefonit për KosovaPress se janë në fazën e ndërrimit të antenave aktuale me ato të rejat që do të jenë 4G plus dhe 5G.