Qartësia e plotë e një Raporti

Shteti i Kosovës është në shkallën nismëtare të të qenit gati për tu bërë pjesë e BE-së. Këtë na e thotë Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian.

Opinion

12/11/2015 14:05

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, për këtë vit, i cili u bë publik pak ditë më parë, siç po thuhet me të drejtë, është një përshkrim i sakt, objektiv, i qëndrueshëm i gjendjes së tanishme të Kosovën, në të gjitha fushat relevante të funksionimit të këtij shteti.

Kur bëhet ky vlerësim i cilësisë së Raportit të EC për Kosovën, shumëkush mund të shtojë këndejpari që në realitet, politikanët e Kosovës, nuk kanë tjetër mundësi pos të ofrojnë këtë interpretim, sepse nuk mund të vendoset apo aplikohet raporti i kundërshtimit të gjetjeve të këtij Raporti, pa pasë pasoja politike, veçmas kur dihet orientimi themelor i politikës dhe shoqërisë kosovare për tu bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Por, e vërteta në këtë rast, është ajo që duhet të jetë: Një Përmbajtje e këtillë, çfarë është në këtë Raport, jo vetëm që është një analizë e thellë dhe e besueshme se ku jemi si vend, por për më shumë, ofron material të bollshëm për të kuptuar, natyrisht, nëse kemi vullnet për një gjë të tillë, se çka duhet bërë tash e tutje, apo në vitet në vijim, për ta kualifikuar Kosovën për në BE.

Është thënë edhe më parë: Një Raport të ngjashëm, për gjendjen e shtetit, do të duhej ta përgatitte vetë Kosova, në çdo 17 shkurt, kur shënohet datëlindja e shtetit. Në këtë rast, një Komision i Veçantë që do të mund të krijohej në një bashkëpunim të sinqertë në politikën dhe në shoqërinë kosovare, do të mund të ofronte një Pasqyrë objektive për gjendjen e shtetit të Kosovës, sidomos nga pikëshikimi i krahasimit të situatës aktuale, me atë të 17 shkurtit të vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.

Nuk ka shenja që kjo mund të ndodhë. Prandaj, duhet bazuar thuaja gjithë vlerësimet dhe synimet e Kosovës në këtë Raport të Komisionit Evropian. Por, ia vlenë të shtohet menjëherë që as kësaj here, në realitet, më së paku kësaj radhe  (për shkaqe të njohura botërisht për të gjithë ne), në këtë ambientin politik kosovar, nuk ka vullnet për të marrë si duhet me përmbajtjen e këtij Raporti e cila do të duhej të mësohej prej të gjithë politikanëve. Duket që ndër ne, së paku në rrethanat e tanishme, nuk ka as cilësi të bollshme politike, potencial të duhur politik, ligjor, ekonomik, për t’i ‘absorbuar’ vlerësimet dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, të kumtuara në këtë Raport.

Kësaj here, pakkush mund të ankohet këndejpari, për mungesën e qartësisë së gjuhës së përdorur në Raportin e Komisionit Evropian. Si anjëherë më parë, në vitet e kaluara, që prej Hyrjes e tutje, Dokumenti i EC-së shquhet me qartësi, apo me mungesë të ambiguitetit të ‘dobishëm’. Ta zëmë, që në fillim të Raportit, Komisioni nuk lë vend për kurfarë dyshimi apo keqinterpretimi se çka është për EC-në MSA-ja  (Marrëveshja e Stabilizim Asoccimit), e nënshkruar ditë më parë me Kosovën. Aty theksohet që kjo Marrëveshje, kompleton hartën e MSA-ve me të gjitha shtetet e Ballkanit. Pra, Kosova këtu trajtohet si shtet nga EC, që është ‘Qeveria e BE-së’. Poashtu, EC ka qëndrim fare të prerë për dialogun e Kosovës me Serbinë, dhe për domosdoshmërinë e tejkalimit urgjent të situatës së tanishme politike në Kuvendin e Kosovës.

Çfarë karakterizon pastaj këtë Raport, në të gjithë përmbajtjen e tij, është kualifikimi i stadit thuaja në të gjitha njësitë e matura prej Brukselit, si ‘shkallë e hershme e përgatitjes’. Jemi pra, fare në fillim, si politikë dhe si shoqëri, edhe kur duam të vendosim Sundimin e Ligjit në Kosovë, edhe kur duhet të luftojmë krimin e organizuar dhe korupsionin në Kosovë, edhe kur duhet të përgatitemi për të funksionuar si ekonomi e tregut, edhe kur mbi të gjitha, duhet ta bëjmë këtë vend të gatshëm për tu përballë me të gjitha sprovat e të afruarit kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në përgjithësi pra, mund të konkludohet që shteti i Kosovës është në shkallën nismëtare të të qenit gati për tu bërë pjesë e BE-së.

MSA-ja do të duhej të dinamizonte këtë ndërmarrje të Kosovës. Por me këtë gjendje të përgjithshme të politikës kosovare, do të ishte naive të besohet që njëmend Kosova, brenda pak viteve, do ta ndryshojë shumë këtë ecje shumë të ngadalshme kah BE-ja.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)