Qalaj thotë se incidenti me bombë në seancën e kaluar ndikon në sigurinë në përgjithësi, ndërsa pret një reflektim politik nga VV

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj sot para mediave pak para se të filloj seanca e 43-të e Kuvendit të Kosovës është deklaruar në lidhje me incidentin që ndodhi seancën e kaluar ku u kërcënuan me bombë, e që doli të jetë kërcënim i rremë. Qalaj ka thënë se shpreson që rasti që ka ndodhur të…

Lajme

07/07/2025 10:43

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj sot para mediave pak para se të filloj seanca e 43-të e Kuvendit të Kosovës është deklaruar në lidhje me incidentin që ndodhi seancën e kaluar ku u kërcënuan me bombë, e që doli të jetë kërcënim i rremë.

Qalaj ka thënë se shpreson që rasti që ka ndodhur të shtunën të mos përsëritet më pasi që sipas tij kjo ndikon në sigurinë në përgjithësi, shkruan lajmi.net.

“Unë kërkoj nga Policia e Kosovës që të rris sigurinë jo vetëm në Kuvend por në hapësirat për rreth, jo vetëm në ditët që mbahet seanca por çdo ditë në mënyrë që mos të kemi situata si të shtunën.  E përshëndes dhe kam fjalë të mira për reagimin policor të shtunën, kanë marrë masat e duhura dhe është dashur të reagojnë në atë mënyrë, mirëpo për mua ka qenë pak indikative çështja e caktimit të seancës prej orës 20:00 ende pa u marrë të gjitha masat që Policia është dashur ti marrë atë ditë”, ka thënë Qalaj.

Ai ka folur edhe në lidhje me situatën e krijuar në Kuvend e për të cilën ka thënë se do duhej shumë moti të kishte një reflektim politik. Qalaj gjithashtu ka thënë se po presin që partia me numrin më të madh të ulëseve të reflektoj dhe të ofroj një marrëveshje politike e më pas të ecet përpara.

Në lidhje me vendimin e gjykatës Kushtetuese ai ka thënë se nuk i din pasojat që mund të vijnë pas 30 ditësh por që ka thënë se pasoja më e madhe po ndjehet tek populli.

“Kuvendi është dashur të jetë funksional deri tani edhe Qeveria është dashur të jetë funksionale dhe të kalojnë ligje që iu shërbejnë qytetarëve.  Mendoj se edhe presidentja edhe liderët e partive politike duhet të takohen disa herë në ditë në mënyrë që sa më shpejtë të jetë e mundur të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Qalaj.

Në lidhje me qëndrimin e PDK-së ai ka thënë se Albulena Haxhiu nuk kalon me votat e deputetëve të tyre dhe se ata që kanë qenë në kabinetin e kaluar qeveritar nuk votohen.