PZAP refuzon ankesat e Bekim Haxhiut, Qëndrim Kryeziut, Emilja Rexhepit dhe Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar të gjitha ankesat në lidhje me rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve që u mbajtën me 7 qershor. Pesë ankesa sa ishin dorëzuar aty, u refuzuan. Tashmë, ka mbetur që mbrenda 48 orëve, nëse dikush është i pakënaqur me këtë vendim ta atakoj në Gjykatën Supreme. Nëse jo, pritet…

Lajme

01/07/2026 16:14

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar të gjitha ankesat në lidhje me rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve që u mbajtën me 7 qershor.

Pesë ankesa sa ishin dorëzuar aty, u refuzuan. Tashmë, ka mbetur që mbrenda 48 orëve, nëse dikush është i pakënaqur me këtë vendim ta atakoj në Gjykatën Supreme. Nëse jo, pritet çertifikimi i zgjedhjeve, transmeton lajmi.net.

Kush kishte paraqitur ankesa?  

Ankesë në PZAP kishte paraqitur Emilja Rexhepi nga radhët e subjektit politik Nova Demokratska Stranka (NDS), për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës.

Më datë 29.06.2026, PZAP-i, ka pranuar ankesën ZP.Anr.58/2026 nga Emilija Rexhepi, nga radhët e subjektit politik Nova Demokratska Stranka (NDS), me seli në Prizren, paraqitur kundër vendimit të KQZ-së, Nr. 01/1375-2026 i datës 27.06.2026 për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 07 Qershor 2026, përmes të cilës kanë kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së përdorimit të votave të subjektit politik “Za slobodu, pravdu i opstanak”, të realizuara në qendrat e votimit të vendbanimeve boshnjake të Komunës së Prizrenit, për sigurimin e vendit garantuar të destinuar për përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dyshimi i bazuar rrjedh nga fakti se votat e lartpërmendura janë realizuar në mjedise ku, sipas të dhënave zyrtare demografike, komuniteti serb nuk ka prani reale apo relevante, prandaj ekziston nevoja që PZAP-i të verifikojë nëse përdorimi i tyre për përllogaritjen e mandatit të garantuar ka çuar në keqpërdorimin e mekanizmit kushtetues të vendeve të garantuara dhe në cenimin e përfaqësimit autentik të komuniteteve joshumicë. Kjo ankesë është refuzuar.

Tjetër ankesë kishte paraqitur Emilja Rexhepi. Më datë 29.06.2026, PZAP-i ka pranuar ankesën ZP.Anr.57/2026, nga Emilija Rexhepi, nga radhët e subjektit politik Nova Demokratska Stranka (NDS), me seli në Prizren, parashtruar kundër vendimit të KQZ-së të datës 27.06.2026 për shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 07 Qershor 2026, me të cilën pretendojnë se në qendrën e votimit 2034 në SH.F.M.U. “Qerim Maku”, Velezhë, subjekti politik Koalicioni Vakat ka realizuar 94 vota, subjekt ky që garon për vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak, mirëpo bazuar në ASK/ReKos 2024, fshati Velezhë ka gjithsej 395 banorë, prej të cilëve 394 janë shqiptarë, përkatësisht 99,75%, dhe vetëm një pjesëtar të evidentuar të komunitetit boshnjak, përkatësisht 0,25%. Tutje kanë theksuar se ky raport prej 94 vota për subjektin politik që garon për vendin e garantuar boshnjak në një vendbanim me vetëm një pjesëtar të evidentuar të komunitetit boshnjak paraqet një disproporcion të qartë dhe të verifikueshëm ndërmjet strukturës demografike dhe rezultatit zgjedhor. Kjo ankesë është refuzuar.

Lista Serbe kishte bërë një ankesë ndaj partisë së Nenad Rashiqit. Më datë 29.06.2026, PZAP-i ka pranuar ankesën ZP.Anr.56/2026, nga subjekti politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, paraqitur kundër vendimit të KQZ-së nr. 01-1375-2026 të datës 27.06.2026 për shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 07 Qershor 2026. Ankuesi kundërshton ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në pjesën ku mandati i rezervuar për komunitetin serb i është dhënë subjektit politik që përfaqësohet nga z. Nenad Rašić, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e votave që ndikojnë drejtpërdrejt në shpërndarjen përfundimtare të mandateve për këtë subjekt politik janë arritur në mjedise me popullsi dominuese shqiptare, përkatësisht në komunat dhe vendvotimet ku, sipas të dhënave zyrtare demografike dhe fakteve të njohura, praktikisht nuk ekziston ose ekziston një numër i papërfillshëm i anëtarëve të komunitetit serb. Numri i votave të fituara në mjediset ku nuk ka serbë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e këtij subjekti politik. Parashtruesi i ankesës thekson se sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, subjekti politik që fitoi mandatin e rezervuar për komunitetin serb ka arritur një përqindje të konsiderueshme të votave të tij totale (afërsisht 40%) në mjedise zgjedhore ku komuniteti serb nuk është i pranishëm ose është i pranishëm në një numër
statistikisht të papërfillshëm. Kjo ankesë është refuzuar.

Po ashtu, PZAP ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të PDK-së për deputetë, Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu për rinumërim të votave për deputetë të subjektit./lajmi.net/