PZAP-i hedh poshtë ankesën e Arbër Eminit për keqpërdorime të votave me asistencë në Kllokot

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të palejuar ankesën e kandidatit për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, e cila kishte të bënte me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të votimit me asistencë në këtë komunë. Në vendimin zyrtar të datës 15 tetor 2025, PZAP-i thekson se ankesa është paraqitur…

Lajme

16/10/2025 11:58

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të palejuar ankesën e kandidatit për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, e cila kishte të bënte me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të votimit me asistencë në këtë komunë.

Në vendimin zyrtar të datës 15 tetor 2025, PZAP-i thekson se ankesa është paraqitur në një fazë të parakohshme të procesit zgjedhor, përkatësisht para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Paneli sqaron se, në përputhje me Nenin 118.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vetëm ankesat që paraqiten pas publikimit të rezultateve përfundimtare mund të shqyrtohen.

“PZAP-i, në rastin kur pala ankuese paraqet ankesë për rezultatet preliminare të tabluara nga KQZ-ja, me vendim e hedh si të palejuar ankesën”, thuhet në vendim.

Emini kishte deklaruar për Telegrafin (15 tetor 2025) se Lista Serbe në Kllokot kishte keqpërdorur procesin e votimit me asistencë duke siguruar raporte të falsifikuara mjekësore për qytetarë që, sipas tij, nuk kishin nevojë reale për ndihmë gjatë votimit. Ai bëri të ditur se këtë rast e ka paraqitur në të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe PZAP-in.

Megjithatë, për shkak të paraqitjes së parakohshme të ankesës, PZAP-i nuk e ka trajtuar atë në meritë dhe nuk ka hyrë në vlerësimin e pretendimeve të ngritura.

Ndërkohë, rasti është trajtuar edhe nga organet e rendit. Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar se një person është arrestuar në lidhje me këtë çështje.

“Më datën 12.10.2025, në Kllokot, e dyshuara – një grua kosovare – dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore për asistencë gjatë procesit të votimit”, ka deklaruar Osmani.

Ai shtoi se e dyshuara është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

“Veprimet e mëtejshme hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt gjyqësore”, ka përfunduar Osmani.