PZAP gjobit Listën Serbe me 20 mijë euro për vendosje të paligjshme të materialeve zgjedhore në Leposaviq
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur subjektin politik Lista Serbe me 20,000 euro për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore. Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa është dorëzuar nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili ka pretenduar se në komunën e Leposaviqit, në disa vende të ndryshme, Lista Serbe…
Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur subjektin politik Lista Serbe me 20,000 euro për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa është dorëzuar nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili ka pretenduar se në komunën e Leposaviqit, në disa vende të ndryshme, Lista Serbe ka vendosur materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Për këtë ankesë, Lista Serbe nuk ka dhënë asnjë përgjigje, raporton lajmi.net

Paneli ka konstatuar se ankesa është e bazuar, pasi ankuesi ka bashkëngjitur fotografi si prova për vendosjen e materialeve promovuese.
Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, si shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se vendosja e materialeve promovuese pa lejen e organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor. PZAP ka urdhëruar Listën Serbe që menjëherë të largojë posterët dhe materialet zgjedhore, duke paralajmëruar se moszbatimi i këtij urdhri mund të sjellë sanksione shtesë./Lajmi.net/