Pyet Daçiq: A është Rama kryeministër i Kosovës a i Shqipërisë!?

Ivica Daçiq ka thënë se Edi Rama është sjellë në mënyrë “jo diplomatike” ndërsa ka thënë se Serbia është angazhuar që vizita e tij të mos ketë asnjë incident. Ai ka ngritur pyetjen se nëse Rama është kryeministër i Kosovës apo i Shqipërisë, duke u ndjerë i habitur se pse Rama nuk përmendi serbët që jetojnë në Shqipëri.

Lajme

11/11/2014 18:43

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Beograd nuk e ka realizuar qëllimin e vet, sepse “nuk ka bërë hap” në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Vizita e Ramës është paralajmëruar gjatë në media si fillim i procesit të normalizimit të marrëdhënieve Serbi – Shqipëri. Me gjithë këtë, nuk kemi bërë asnjë hap, nuk është realizuar qëllimi e ai ka qenë përparimi i marrëdhënie ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Daçiq për B92, transmeton Koha.net.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse vizita e Ramës ka qenë mirë e planifikuar, Daçiq është përgjigjur se nuk bëhet fjalë për atë se kryeministri i Shqipërisë ka habitur ndokënd, porse bëhet fjalë për mos respektimin e praktikës diplomatike.

“Ne e dimë çfarë mendojnë disa vende për statusin e Kosovës, por këtu bëhet fjalë për diçka tjetër. Vizita të tilla që organizohen pas një kohe të gjatë vetëkuptojnë se në përputhje me diplomacinë të merret vesh për formulimet që do të zbatohen në mënyrë që të evituar ajo që ka ndodhur në konferencën për gazetarë”.

Daçiqka shtuar se paraqitja e kryeministrit Vuçiq i është kushtuar të ardhmes ndërsa deklarata e Ramës se Beogradi duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka krijuar “gjest jo diplomatik”, të cilin asnjë politikan i huaj që para Ramës e ka vizituar Serbinë, nuk e ka bërë.

“Serbia ka treguar vetëpërmbajtje, çdo gjë është organizuar pa asnjë incident. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë të ngarkuara tash e një kohë të gjatë me çështjen e Kosovës, por jemi zënë mjaft. Duhet edhe më tej të jetojmë bashkë e të bisedojmë, nuk kemi zgjidhje tjetër, ata janë fqinjë në Shqipëri e shqiptarët në jug të Serbisë janë qytetarët tanë”, ka thënë Daçiq.

Duke komentuar deklaratën e Ramës në Preshevë se shqiptarët në jug të Serbisë kanë më pak të drejta sesa serbët në Kosovë, Daçiq ka thënë se këto mesazhe janë të “pakuptimta” dhe se Rama kështu nuk duhej të fliste edhe kur dhe edhe sikur “Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës”.

“A është Rama kryeministër i Kosovës apo i Shqipërisë? Ai duhet të flasë për këtë, pse nuk flet për serbët në Shqipëri, gjejeni një serb në atë vend me mbiemrin që përfundon me “iq”. Serbët janë shqiptarizuar e ai flet për serbët në Kosovë.Çfarë lidhje ka ai me këtë, a është kjo Shqipëria e Madhe”, është pyetur Daçiq, duke shtuar se “standardet e dyfishta” shkatërrojnë politikën ndërkombëtare, trasmeton Koha.net.