Puyol pensionohet nga futbolli

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol nuk do të luajë për asnjë skuadër tjetër përveq gjigantit katalan. Ylli i skuadrës nga Camp Nou ka vendosur të pensionohet nga futbolli, në fund të këtij sezoni.

Sport

10/05/2014 00:27

Tani është zyrtare: Carles Puyol do t’i varë këpucët në gozhdë.

Mbrojtësi 36-vjeç i Barcelonës do të njoftojë pensionimin e tij nga futbolli më 15 maj, gjatë një konference për shtyp, ku do të paraqitet i shoqëruar nga presidenti i klubit, Josep Maria Bartomeu.

Lajmin e ka bërë të ditur uebfaqja zyrtare e gjigantit katalan.

Në 15 vitet e tij me fanellën e Barcelonës, Puyol fitoi gjithçka që mund të fitohet në nivelin e klubeve: gjashtë La Liga, dy Copa del Rey, gjashtë Superkupa të Spanjës, tri Liga të Kampionëve, dy Superkupa të Evropës dhe dy Kampionate botërore për klube.

Lajmi për pensionimin e tij do t’i ndezë edhe më tepër spekulimet se Puyol mund të jetë i përfshirë në stafin teknik të ish mesfushorit të Barcelonës, Luis Enrique – aktualisht trajner i Celta Vigos – i cili pritet të bëhet strateg i ri në Camp Nou, duke zënë vendin e Gerardo Martinos, pas përfundimit të këtij sezoni.