PUUUUCAAAAAJ…..
I cytun me reagimet ndaj koncertit te Bregovic ne Korçe, po e risjell mbas 15 vjetesh nji shkrim temin per Bregovicin dhe shqiptaret, botue ne JAVA Nr.184, Prill 2006, sa me konstatue se asgja s’ka ndrrue ne kete relacion.
Opinion
Shkruan: Migjen Kelmendi
Nuk po zgjatna, sepse shkrimi asht i gjate dhe i shkruem me frymezim, dhe po gjetet kohe e vemendje jam i bindun se ka me ju ba me mendue!‐
PUUUUCAAAAAJ…..
Goran Bregovic i qet mendsh mbasardhësit e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë Me 1 Prill, Ditën e Rrenave, Tirana pat rastin me e shijue dhe me dal mendsh me muzikën e njanit nga autorët ma të njoftun në Ballkan, Goran Bregovic, të cilit thonë se fjala autor nuk i shkon, sepse asht ‘rrenc’. ‘Rrenc’ si autor, si krijues, sepse krejt arti i tij asht njifar rrene, njifar pjelle e mendjes se turbullume me raki e droga, nji konglomerat idiomash muzikore e ritmesh rome e turke, nji lojë, nji mahi. Mirëpo, Bregovic, jo vetëm me Orkestrin e tij Për Dasma e Deka, por edhe me bendin legjendar “Bijelo Dugme”, si nji astronaut i postmodernizmit, moti e ka shpall të dekun “autorin”.
Moti e ka pasë ba publike atitudën e tij që ma së miri e artikulonte asokohe shkrimtari Danio Kis, se “tashma gjithçka asht thanë e shkrue, une vetëm jam tue shtue diçka pak”. Muzika “diçka pak” e Bregovic’it, që ai ja shton përjetimit tonë dhe kënaqësisë sonë, asht provë e suksesshme se intelekti dhe kombinatorika mujn me qenë hiq ma pak ‘autoriale’ e origjinale. Ai patchwork i Bregovic’it me Orkestrin për Dasma e Deka, asht dëshmi e përkryeme e ‘dekës së autorit’ dhe lindjes së ‘kombinatorit’. Por edhe me kombinue duhesh – me dijtë.
Duhesh me njoftë e përjetue për me mujt me kombinue, njashtu si i kombinoi Bregovic idiomat muzikore të bujqve serbë me tarabukat dhe tupanat turk, koret e grave bullgare me defatoret nga kanaxhexhet e grave kosovare, korin e burrave që a thue se e ka formue Rauf Dhomi p’ej Gjakove, me folklorin rom e turk e me “Trubaca’t e Dragacevo’s”, si e njohim na në Kosovë ate bandën me instrumente frymore, dhe krejt kjo shkrie e artikulue në gjuhën rome, në Lingua Frangan e Ballkanit.
Nganjihere e ke përshtypjen se krejt kjo përziemje idiomash muzikore a la Bregovic, asht nji përziemje dhe hallakamë që ka ndodhë në trunin e ndonji romi nga Jugu i Serbisë, i pijtë mortuz, i pijtë çytyk, si kishin me thanë ata vetë, ku me procese të padituna kimike e alkimike, asht sintetizue ky qull muzikor, ky buqkurish i tana idiomave të Ballkanit, ky “koktell”, si kishin me thanë romët, që si nji raki e fortë, e trentë, t’qetë mendsh! T’pin, t’ban budallë. Nashta edhe ka plotësisht të drejtë prifti ortodoks rom, nga filmi i hatashëm dokumentar i autores bullgare Adela Peeva, “Whose this Song?” (“E kujt asht kjo Kangë?”, mos e leni pa e pa), se Bregovic asht vetëm nji ‘hajn’ i folklorit rom, të cilin ai kishte vendosë me e paditë në gjyq (sic!). Bregovic tue e imitue Bekim Fehmiun Edhe mizanskena edhe veshja e Bregovic’it asht kopje, huazim.
Bregovic me ato tesha të bardha kat asht kurkush tjetër pos Bekim Fehmiu në rolin e pavdekshëm të tij si Bora në “Skupljaci perja” (“Tubustë e pendalve”), të regjisorit Aleksandar Petrovic. Pakkush e ka hetue se me çdo gjest, me çdo lëvizje, me çdo nojmë të tij në koncert Bregovic imiton Bora Ciganinin e Bekim Fehmiut.Edhe gratë bullgare me veshjet popullore e ke zor me ja qillue se a janë nga jugu i Shqipnisë, apo veshje të grave të katundeve ortodokse rreth Xhevxhelije, apo xhamadana punue në Çarshinë e Gatë të Gjakovës që u shitshin edhe në Bash-Çarshinë e Sarajevës gjatë kohës së Titos. Dhe, Bregovic, ashtu si e mbaj mend gjithmonë, intelegjent, me shumë shije, hedonist i pandreqshëm, provokator i tmerrshëm dhe me talentin e rrallë për me t’qitë mendsh (ashtu e mbaj mend edhe me bendin “Bjelo Dugme” kur në vitin 1980 në sallën 25 Maji në Prishtinë na çoi tanëve në kambë e duelëm mendsh me “Jesi li mala ljubila bosanca”; ashtu si disa vjet ma vonë, mbas demonstratave të vitit 1981 këndoi shqip me bendin e tij, kangën “Roka mandolinën”, tue qenë dhe mbet i vetmi rock-band jugosllav që kishte knue ndonji kangë në gjuhën shqipe), isha i bindun se Bregovic ka me e kallë Tiranën, Pallatin e Kongreseve, tempullin e Enver Hoxhës, dhe ka me i qitë mendsh shqiptarët “europianë” të Ismail Kadaresë. Sidmos shqiptarkat europiane.
Me Dancue e jo me Denoncue! Çfarë tushi i ftoftë dhe çfarë gjegje e gjetun për Kadarenë kur në Tempullin e legjitimimit të Shqiptarit të Ri, Pallatin e Kongreseve, pasardhësit e Enver Hoxhës, Shqiptarët e Ri, “europianët” dhe “europiankat” e Kadaresë, veç s’patë tavolina, se kenë ty hypë mbi to e meu dalldisë e me u tranue krejt me muzikën rome e turke. E po t’mos kenë kamerat, edhe me u cullakue! Ashtu si kudo ku Orkestri për Dasma e Deka i Bregovic’it performon, n’Stamboll e n’Athinë, n’Shkup e n’Sarajevë, n’Romë e n’Bolonja. Bash këte e kishte kap dhe kuptue Brega, si i thonë me përkdhelje, në muzikën rome: dalldinë, nevojën e celebrimit të jetës, traninë dhe dehjen me jetën…me seksin…rakinë…ushqimin…dancin…(Jam i bindun se “europiankat” e Kadaresë, që ishin në koncert, ate mbramje kanë qenë ma të nxehta se kurrë!) Muzika si jogging i shpirtit Këte e kishte pa dhe nxan Brega ndër romët e Jugosllavisë. Këte e shndërroi në Trade Mark regjisori Emir Kusturica, tue e artikulue për bukuri në filmin “Macja e zezë, maçoku i bardhë” – iracionalitetin si pjesë të pandashme të mentalitetit ballkanas. Të njeriut, përgjithësisht. Por edhe vetdijen për te. Mirëpo, tue qenë koshient për iracionalitetin në vetvete, asht e domosdoshme diqysh me e kanalizue, me e kontrollue, me e qitë jashtë…me e qitë t’keqtit, me u shprazë, me u pastrue e me u purifikue. Muzika e Bregovic’it asht nji formë e purifikimit të shpirtit nga t’keqtit që mbledhet nëpër ditët e jetës…Muzika e Bregovic’it asht nji jogging i shpirtit sepse, simbas Bregës, t’keqtit asht nji proces fiziologjik ma shumë se shpirtnor.
Qitet me djersë, me seks, me shurrë mbas dehjes dhe seksit. Këte na e thojke Bregovic me muzikën e tij. Dilni mendsh ndaqi me pshtue. Dilni kapak mendsh ndaqi mos me u tranue krejt! Muzika, rakia, seksi, dalldia…. qe forma me e pshtue shpirtin. E jo si në kohën e Enverit, kur Shqiptarët e Ri, ‘europianët’ e Kadaresë, racionalë e vigjilentë, e qitshin t’keqtit tue i ba keq njerëzve të afërt, tue i denoncue e tue i mbyll nëpër kampe e gullaga. Brega i kujtoi Shqiptarët e Ri të Enver Hoxhës dhe “europianët” e Kadaresë se, jo Denoncimi po Dancimi ka mujt me e pshtue Shqipninë prej gullagave, varfnisë e kompromitimit. Sepse njeriu, koshient për iracionalen në vetvete, ka nevojë për nji lloj ventili, nji lloj filtrimi e t’qituni t’keqti…se përndryshe ata t’keq ja kthen manej njerëzve që i don e i ka t’afërt. Me Dancue e jo me Denoncue ishte mesazhi qe Bregovic solli në vendin e Shqiptarëve të Ri të Enver Hoxhës dhe “europianëve” të Kadaresë.Bregovic si gjegja ma e mirë që ju ba Ismail Kadaresë dhe “Identitetit europian” të shqiptaritVetëm disa ditë para koncertit të Goran Bregovic’it dhe Orkestrit për Dasma e Deka të tij në Tiranë, tana gazetat e Shqipnisë dhe Kosovës e multiplikuen nji ese, nji reflektim të shkrimtarit Ismail Kadare, me titull “Identiteti europian i shqiptarëve”. Për ata që veprën e Kadaresë nuk e shohin të ndame nga jeta e tij, dhe nuk e lirojnë shkrimtarin nga përgjegjësia me qenë qytetar, ku e fus edhe veten, çdo reflektim dhe eseizim i Kadaresë asht i mirëseardhun, sepse askush ma mirë se ai vet nuk e portretizon dhe vizaton veten dhe mendimin e tij. Asht fat se Kadare edhe eseizon dhe e ka kompleksin e të qenunit intelektual, në kuptimin francez të kësaj fjale (diçka totalisht e parrokshme dhe e panjoftun për te), sepse vetëm disa vjet ma vonë s’kanë me na besue se shkrimtari që në gjallje të tij asht shpall Ajatollah i letërsisë dhe kulturës shqiptare, ka mujt me mendue si ka shkrue vet në eseun e përmendun: “…Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë…
Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa….” Gjegjen ma të gjetun Kadaresë ia bani Bregovic: e qiti ‘europianin’ e imagjinuem të Kadaresë mendsh bash me muzikën dhe ritmin e civilizimit të cilin Kadare e kupton si të huej dhe të rrezikshëm për Identitetin Shqiptar – civilizimin lindor. Thelbore në mendimin e Kadaresë për identitetin asht se ai mendon se me qenë shqiptar, me e pasë këte identitet, asht diçka e gjetun, jo e krijueme, e farkueme, e inventueme. “Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë…” thotë Kadare, tue çimentue bindjet e tij mistike se mbrapa këtij realiteti shqiptar egziston e vërteta shqiptare, esenca shqiptare, nji model platonian, divin, natyra intrinsike e shqiptarit. Kadare harron se tanë kohës flet Ai, Kadare, se krejt ai kullim i nji historicizmi simplifikues e reduktues për Identitetin Shqiptar, asht vetëm nji Narracion i tij, asht nji lexim i tij selektiv e sipërfaqësor i nji historie pesë shekullore, nji prrallë. Prrallë e mbytun me paragjykime e stereotipe, me esencializëm, që mos ta përdori ndonji kualifikim ma të randë, si racizëm. “Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë…” Çka me ba me nji shqiptar që kish me na lind i zi?
A munden Njerëzit e Zi me qenë europianë? Kadare, edhe pse njani prej atyne inxhinierave shpirtnorë që e inxhinieruen (ai vazhdon me e inxhinierue) “shqiptarin”, në përpjekje me e ba e krijue e inventue Shqiptarin e Ri, nuk i jep randësi nji fakti historik se ‘Revolucioni Francez (njashtu si revolucioni komunist në Shqipni – MK), provuen dhe e dëshmuen se i tanë fjalori i marrëdhanieve shoqnore, i tanë spektrumi i institucioneve sociale po mujkan me ndrrue mbrenda nate’ (Rorty). Sado për tana ato dekada të nji pushteti të pakufishëm të komunistave, u eksperimentue e u inxhinierue “shqiptari”, dhe Kadare tashma asht i bindun se egziston nji esencë shqiptare, nji Shqiptar Intrinsik, Bregovic me muzikën e tij e shkërdheu dhe shkërmoqi këte fantazmë, tue e ba me u kallë me ate që Kadare asht i bindun se nuk i takon esencës shqiptare – lindoren. Muzikën dhe ritmet lindore. Nëse shqiptari qenka sterilizue prej tyne gjatë asaj epoke komuniste, kush ishin ata njerëz në Pallatin e Kongreseve, të ri e në moshë, çika t’reja e gra, që dolën mendsh e u gëzuen e dalldisën me ritmet rome e turke? Bregovic, po them, e shkërdheu Shqiptarin Intrinsik të Kadaresë.
Identitetin Shqiptar Kadare nuk e kupton si fluid, si të tillë që i nënshtrohet proceseve historike, tue perpetue e tue u ndrrue, tue u farkue në kazanin shoqnor e institucionet shoqnore, tue marrë trajtat e shoqnisë njashtu si ajo ndrrohet gjatë procesit historik. Jo. Identiteti Shqiptar asht i pandryshueshëm, monolit, unik. Njerëzit ndoshta ndrrojnë, por identiteti dhe të qenunit shqiptar – jo! Ata që e kanë rrezikue dhe e rrezikojnë identitetin shqiptar gjithmonë janë Tjerët, turqit, serbët, tradhtarët…e jo shqiptarët. Sepse shqiptari i njimendtë kurrë s’kishte me i ba asgja të keqe Identitetin Shqiptar. Mirëpo, askush ma shumë e ma keq nuk i ka ba ‘shqiptarit’ se sa shqiptari vetë. Kush ka mujt kaq keq e kaq shumë me e damtue ate që tash për tash asht e vetmja dëshmi e jona se jemi kush jemi –Gjuha Shqipe–sa me ja kput e sakatue trupin, tue ja heq e kput tri të katërtat e saj – Gegnishten. Si mundet me folë dikush që ka nënshkrue dokumentin me të cilin damtohet Identiteti Shqiptar si asnjihere në historinë e vet, tue ja mungue e ndalue idiomën ma të vjetër, idiomën ma të folun, përmendoren tingullore të Identiteti Shqiptar – Gegnishten. Si mundet me u dekodue e kuptue Identiteti Shqiptar – pa Gegnishten?A janë shqiptarë e europianë edhe ata që flasin Gegnisht?
Bregovic dëshmoi se krejt ai eksperimet komunist, në të cilin mori pjesë edhe Kadare, që kishte për qëllim me e shpla e sterilizue shqiptarin prej feve, prej t’kaluemes, prej ideve dekadente perendimore, prej kapitalizmit, prej Islamit, prej Gegnishtes, prej autorëve katolikë, prej Shkodre, prej të Ndryshmes me ta, në të vërtetë – paska dështue. Njashtu si ka dështue edhe përpjekja me e dlirë e pastrue “Shqiptarin” prej Gegnishtes e Islamit. Mbasardhësit e Enverit e t’Kadaresë u kallën me muzikën rome të Bregovic’it e me ritmet e melosin turk, posi çdokush tjetër n’Ballkan. Njisoj si n’Stamboll. Shqiptari i Ri i Enverit dhe “Europiani” fatamorgan i Kadaresë, diku mbrenda vetes e paskan ate dellin ballkanik, ate telin sensitiv që dridhet me ritme turke e rome, e që për bukuri e dridhke e i bijke atij teli Bregovic n’Tiranë, tue dëshmue se shqiptari, posi edhe krejt popujt tjerë të Ballkanit, ka jetue e jo hibernue gjatë atyne pesë shekujve të Perandorisë Osmane.
Mirëpo, përkundër Kadaresë, Bregovic me koncertin e tij n’Tiranë, nuk e shef nga perspektiva e sotme kohën kalue nën perandori si mallkim, si gjamë, si aksident, po si pasuni. Shqiptarët kanë diçka ma shumë, e jo diçka ma pak, si e kupton Kadare. Prishtina, besoj si edhe Tirana, e ka aftësinë me u kallë e me dalë mendsh njisoj si me Techno e House, njashtu edhe me Orkestrin për Dasma e Deka të Bregovic’it. Me Bregovic’in shqiptarët vetëmsa kallxuen se janë – si tanë tjerët. As ma të mirë e as ma të këqij. Janë njerëz ma s’pari, njerëz të Ballkanit, e mandej shqiptarë. Misioni i çdo shqiptari në planet, nëse kisha me a parafrazue Kadarenë dhe nëse duhet shqiptari me pasë mision, kishte me qenë ma s’pari me qenë e me mbet njeri, e mandej edhe shqiptar (i padlirun e i papurifikuem Gegnishte).Juriiis……pucaaaaaj! Asht nji kangë dhe nja 2 komanda ushtarake që i japin nji dimension ma shumë krejt kësaj dalldie me ritme e muzikë. Kanga “Kalasnjikov” dhe ato 2 komanda ushtarake që i ka adaptue si komanda për orkestër Bregovic: “Pucaj”, asht nji fjalë rrënqethëse, që domethanë “Krisja” (pushkës), “Qillo”; dhe, “Juris”, që dmth “Sulmo”. Me këto dy komanda ushtarake, Bregovic na kthen në kontekstin e krejt ngjarjeve të dekadave të fundit në Ballkan, ku Milosevic dhe skuadrat e tij të vdekjes patën rolin kryesor. Po mundohem me argumentue se asht bash kjo kangë dhe këto 2 komanda ushtarake që e bajnë si të ngutun e të pamatun mirë vendimin e Edi Ramës, me ja dhanë Çelësin e Qytetit të Tiranës, si qytetar nderi, Bregovic’it.
“Pucaaaaj…” asht komandë që i jepet togës së pushkatimit, si n’Srebrenicë, komandë që i jepet njisisë tenkiste, si gjatë rrethimit dhe shkatërrimit që ju ba Vukovarit e Sarajevës. Janë fjalët ma të urryeme e ma të randa që u shqiptuen në gjuhën serbe. Janë fjalët që i paraprinë urbicidit të qyteteve dhe egzekutimit të qinda-mija viktimave në tanë ish Jugosllavinë. Njeriu i mentalitetit që prodhoi këto komandadhe i shqiptoi para njisisë tenkiste në Sarajevë e Vukovar, në Srebrenicë e n’Qyshk, asht ai njeri dhe ai mentalitet që ka emanue kangën “Kalasnjikov”.Kanga “Kalasnjikov” e ka nji histori të vocërr. Asht pjesë e muzikës për film të regjisorit Emir Kusturica, nji pamfleti politik që shërbeu si ‘maskirna uniforma’ për njisitet tenkiste për me e shkatërrue Sarajevën –“Under- ground”.Filmi “Underground” u xhirue në kulmin e fuqisë së Milosevic’it. Beogradi, kur duhej me xhirue Kusta e me incizue Brega, ndalej. Ata ishin dy artista që mujshin me e ndal qytetin e Beogradit nëse ju duhej për artin e tyne. Beogradi ishte kryeqendra e Milosevicit në kohën kur ai ndalej sahere donte Kusta e Brega. Imaxhinoni fuqinë dhe afrinë që kishin këta dy artista me SPS, partinë që udhëhiqte Beogradin në kulmin e pushtetit dhe fuqisë së Milos’it.Po kush ishin ata njerëz që vrajshin dhe kallshin nëpër Jugosllavi, si dukeshin, çka pëlqenin…
Fatkeqësisht, muzika e Bregovic’it asht muzika e preferueme edhe e kriminelave të Milosevic’it. Sidomos, kanga “Kalasnjikov’, sepse ata ishin njerëzit e atij mentaliteti që fëmiut të tij për ditëlidje ja blejnë pushkën si lodër; njerëz që si dhuratë mikut ja falin rakinë në shishen me formën e kallashnjikovit, si në foton e „Javës“, dhe konjakun në shishen me formën e bombës; njerëzit që i shofin nëpër tytën e pushkëve mjediset ku jetojnë, komshitë, Tjerët; gjithmonë me idenë e ekspandimit dhe grabitjes; njerëz që edhe para aktit seksual piskasin: Juriiiis; njerëz që edhe në koncert, në situata benigne përdorin komanda ushtarake si, „Pucaaaaaaj“!
“Ne tako…ovako“ Ky asht njeriu i mentalitetit që emanoi kangën “Kalasnjikov”, që frymëzoi artistin dhe mbeti i shenuem në këte kangë. Për mue personalisht kjo kangë ka domethanie të nji materiali kulturor me randësi antropologjike, sepse na ndihmon me e dekodue dhe kuptue mendësinë që ka mujt me pjellë Bllacen, Stankovecin, Srebrenicen, Vukovarin, Sarajevën. Brega nuk distancohet, nuk merr qëndrim të kundërt e as akuzon politikën dhe veprimet e Milosevic’it. Eventualisht kisha me thanë vetëm polemizon. „Ne tako…ovako“ (Jo ashtu …kështu). Brega ma shumë dialogon me miqtë e tij milosevician si Milorad Vucelic (ish shefi i SPS, partia e Milosevic’it), tue u thanë se ka qenë e gabueme metoda, por jo edhe ideja e ekspandimit të Serbisë. Brega prej Tirane, tue i shti tironasit e Edi Ramës me piskat „Juriiis“, e tue i ba gratë e çikat europiane të Kadaresë me u dalldisë e me u bo horr, i çonte mesazh miqve të tij në Beograd e Republika Srpska se JO me hekurin e tenkave, po me llamarinën e Trubave të Dragacevo’s realizohet andrra e moçme serbe me e ‚pushtue’ Tiranën. Jo me helmeta n’krye, po me sajkaca (kapelat popullore serbe) n’krye hyhet n’Tiranë. Bregovic prej Tirane dialogonte pandërpre gjatë tanë koncertit me mikun e tij Milorad Vucelic, ish kryetarin e SPS, parti e Milosevic’it, dhe ish drejtorin e Radio Televizionit Serb, RTS, se me kulturë e jo me ushtri pushtohen vendet sot, qytetet, njashtu si u pushtue Tirana metaforikisht nga Brega.“Ne tako…ovako”, dialogonte Brega me miqtë e tij serbë. Dhe, jo se ata tuten prej teje, por të donë, ta japin vet Çelësin. “Vidis….ne tako…nego ovako” (E shef, jo ashtu, po kështu!).E bani prrallë Brega Tironën e dalldisun, tue i ba me piskatë “juriiiis” e “kalasnjikov”. E për çudi, ishte publiku që e kërkonte në bis bash kangën – „Kalasnjikov“ (!). Kur e ki parasysh vitin 1997, nashta edhe s’asht me u çuditë shumë me këta njerëz.Provincializmi i Edi Ramës Edi Rama reagoi tamam si nji provincialist i vocërr, që sa e pa se kah mahalla po i kalon nji nga emnat që i ka ndigjue nëpër Ballkan, u ngut me ja dhanë Çelësin.
Jo se Bregovic ban pjesë në grupin e serbëve që nuk duhet me jau dhanë Çelësin, por nëse Rama po don me u ba njeri prej gjesti, njeri që don me çue mesazh paqe e me i ndihmue zhdukjes së urrejtjes mes serbëve e shqiptarëve, asht nji njeri i madh, nji serb – arkitekti Bogdan Bogdanovic – ish kryetari i qytetit të Beogradit, njeriu i cili nga shkaku i nji oponence të haptë e direkte kundër Milosevic’it, jo tashti në fund, por që nga viti 1986 kur Milosevic duel n’skenë, u desh që nga kërcënimet me e lshue vendin e me kërkue azil në Vjenë, ku edhe sot jeton. Çelësi i Tiranës në duert e Bogdanovic’it, njeriut që farkoi termin URBICID, si reagim ndaj shkatërrimit të qytetit të Sarajevës, njeriu i parë që sapo u çlirue Sarajeva në vitin 1996, u ftue dhe tanë Sarajeva u çue n’kambë e i aplaudonte, qe gjesti që i shkon nji kryebashkiaku të kryeqytetit shqiptar. Ky asht kalibri i intelektualit, njeriut dhe serbit të cilin ne shqiptarët duhet me i respektue gjestin dhe me e dëshirue komshi e mik. Dhe, jo se Bregën e paskemi anmik, assesi. Bregovic asht njeriu që këndoi shqip atëhere kur në Jugosllavi me knue shqip i bjen si sot n’Shqipni me knue Gegnisht! Edi Rama si nji fan i zakontë i mahnitun me nji yll përnime që i kaloi kah mahalla, u ngut me shit mend keshe asht ‚cool’.
Muzika e Bregovic’it shijohet, por nuk dekorohet. E krejt çka ka qenë dasht me ba Rama, asht që ato dy natë koncerti, që nuk i huqi, me u çue e me u dridhe, me e dridh pak trupin, me u çue e me u dalldisë, me e qitë t’keqtit, në mënyrë që nesër me dalë n’punë e me punue që kurrë njeriu dhe mentaliteti që ka emanue kangët si „Kalasnjikov“ mos me u lejue me iu afrue bedenave të Tiranës, as nga jashtë e as nga mbrenda. Janë dy qytete që njerëzit e këtij mentaliteti që emanojnë kangë si „Kalasnjikov“ i kishin te bedenat: quheshin Sarajevo dhe Vukovar.Këto dy komanda, „Pucaj“ dhe „Juris“, ishin fjalët ma të shpeshta të Goranit në Tiranë. Natyrisht, të hequna prej konteksti, ato janë ironi, sarkazëm, lojë….mahi….Tirana e ka pasë fatin mos me i ndie në fushëbeteja këto komanda, te bedenat e qytetit, po në koncert, në fushëbetejen metaforike të Bregovic’it. Mirëpo, jo edhe familjet e viktimave në ish Jugosllavi. Nuk mund të mahitesh me nji fakt historik si Srebrenica, Sarajeva, Qyshku, Reçaku, Bllace…sepse, si thotë Gluksmann, refuzimi për t’u ballafaquar me faktet ma të randa historike e me u mahit me to, paralajmëron rikthimin e mizorisë.Nuk asht kanga “Kalasnjikov’ ajo që e ban Bregovicin të madh. Ajo e kompromiton ate. Janë shumë e shumë kangë tjera të Bregovic’it që Tirana e Enver Hoxhës dhe Kadaresë i kanë huq gjatë asaj kohe eksperimenti me komunizëm, që e bajnë me e pëlqye muzikën e tij. Manej, Tirana me nji vonesë gadi dhetë vjeçare po e shijon e përjeton Bregën. Në Prishtinë, Brega asht pase, si tha producenti i famshëm Ilir Osmani.
Tallava babës, tallava. Nejse, u desh me shkrue e me reague, sepse shumëkush në Prishtinë e përjetoi keq dhe shumë randë këte dalldi të Tiranës me Bregovic’in. Personalisht, tue e ndjek në TV KLAN koncertin, dola mendsh si krejt tjerët në ate sallë. E vetmja gja që ma prishi qejfin ishte bis për kangën “Kalasnjikov”. E çuditshme, bash në këte kohë nisën me u kujtue e me u (keq)interpretue disa ide për Identitetin Kosovar dhe vogëlsinë teme, në kontekstin e nevojës së diferencimit të qartë kulturor të Prishtinës me Tiranën mbas Bregovic’it. Sa shumë u zhgënjyen patriotët kosovarë me Manjola Nallbanin, me Kastriot Tushën, e artistë tjerë që i diktuen në ekranin e TV KLAN.
Mirëpo, kush i ka faj kosovarëve që gjithmonë e kanë marrë Shqipninë e Tiranën përnime! E di, edhe kjo ka me kalue e gjithçka ka me u harrue, ose si thuhet në nji ndër kangët ma të bukura nga koha jeme, vitet e 80’ta, kangë e Bregovic’it dhe Bijelo Dugme’s, “Sve ce to o mila moja, prekriti ruzmarin, snjegovi i sas” (“Krejt këte, e dashtuna jeme, ka me e mbulue rozmarina, bora dhe bari”) Dhe, bash këtu, kur po e përmendim harresën, kalimësinë, bash këtu na shfaqet si prej qielli prap ai personazhi i Bregovic’it nga kanga “Kalasnjikov”, ai i Srebrenicave, Vukovarave, Reçakave, Bllaceve, Sarajevave: “Nime…nime krejt harrohet a?!…Nime gjithçka po e mbulojka bora e bari a….ue: PUCAAAAAAJ!”
6 Prill 2006JAVA 184