Putin paralajmëron pavarësinë e rajoneve separatiste në Ukrainën lindore, reagojnë Gjermania e Franca

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë me dije se do të njohë pavarësinë e dy rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore – Donetsk dhe Luhansk.

Bota

21/02/2022 19:22

Siç raporton “The Spectator Index”, kjo deklaratë u bë pas përfundimit të takimit të Këshillit të Sigurimit presidencial, shkruan lajmi.net.

Deklarata e Putin-it vjen pas deklaratave televizive të liderëve separatistë, të cilët iu lutën presidentit rus t’i njohë ato si shtete të pavarura.

Ndërkohë, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë shprehur zhgënjimin e tyre për njohjen e pavarësisë së republikave të Donetskut dhe Luganskut.

Ndërkaq, ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov konfirmoi bisedimet me homologun e tij amerikan në Gjenevë të enjten e 24 shkurtit.

Presidenti rus sqaroi fillimisht se mbledhja e zgjeruar dhe e jashtëzakonshme u thirr për të diskutuar situatën në Donbas.

Sipas Putin-it, nëse Ukraina do të anëtarësohet në NATO, “kërcënimet ndaj Rusisë do të rriten disa herë”. /Lajmi.net/