Putin kërkon masa shtesë të sigurisë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, iu ka bërë thirrje anëtarëve të një grupi rajonal të sigurisë, që të ndërmarrin masa të koordinuara dhe kolektive me qëllim që ta rrisin sigurinë.

Bota
Teksa ka folur të martën në Moskë në një takim të Organizatës së Sigurisë Kolektive, Putin ka thënë se ky takim po mbahet në kohë të vështirë.
“Problemet e vjetra janë përshkallëzuar dhe ato të rejat janë në zhvillim”, ka thënë Putin teksa ka shtuar se ka rënie të sigurisë në nivel global.
Ai ka kërkuar nga vendet anëtare të Organizatës së Sigurisë Kolektive, që të marrin masa të koordinuara dhe kolektive, me qëllim të ruajtjes së sigurisë nëpër secilin nga këto vende, por edhe në rajon.
Presidenti i Bjellorusisë, Alyksandr Lukashenko, ka thënë se situata përreth kufijve të shteteve që e përbëjnë këtë organizatë, asnjëherë nuk ka qenë më e tensionuar.
Organizatën e Sigurisë Kolektive e përbëjnë: Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia dhe Taxhikistani.
Takimi në Moskë mbahet në kohën kur Rusia po përballet me sanksionet e Perëndimit për shkak të aneksimit të Krimesë./REL/