Pushteti aktivizon censurën në RTK | Kusari: Reagimi i AGK-së u hoq nga edicioni qendror i lajmeve të mbrëmjes

Ekspertja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke e akuzuar për censurë të lajmit në edicionin qendror të mbrëmjes. Ajo thotë se RTK-ja ka hequr nga edicioni i orës 19:30 reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili bënte thirrje që Qeveria t’ia transferojë…

Lajme

14/08/2025 22:11

Ekspertja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke e akuzuar për censurë të lajmit në edicionin qendror të mbrëmjes.

Ajo thotë se RTK-ja ka hequr nga edicioni i orës 19:30 reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili bënte thirrje që Qeveria t’ia transferojë mjetet financiare transmetuesit publik, transmeton lajmi.net

Sipas Kusarit, lajmi ishte raportuar në edicionin e orës 17:00, por më vonë është censuruar, ndërsa gazetarëve u është dhënë urdhër që në edicionin e orës 23:00 të transmetohet vetëm deklarata e zëdhënësit të Qeverisë, duke anashkaluar plotësisht reagimin e AGK-së.

Ajo e ka krahasuar këtë veprim me praktika të censurës në vende si Hungaria.

“Paramendo, deklaratën e AGK-së që është në favor të vetë RTK-së nuk e transmetojnë nga frika mos po e dëmtojnë VV-në dhe qeverinë. E turpshme,” ka shkruar Kusari, duke e cilësuar situatën si alarmante për lirinë e medias në vend./lajmi.net/