Punëtorët e sigurimit fizik të Komunës së Prishtinës ankohen për vonesë në paga
Punonjësit e sigurimit fizik të kompanisë “Skyfterat – Live “në Komunën e Prishtinës po përballen me vonesa në ekzekutimin e rrogave. Vonesa e pagës ka shkaktuar pakënaqësi dhe vështirësi ekonomike për punëtorët, të cilët këtë të hënë thirrën protestë në shenjë pakënaqësie. Por, jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar. Në momentin e fundit ata anuluan…

Lajme
Punonjësit e sigurimit fizik të kompanisë “Skyfterat – Live “në Komunën e Prishtinës po përballen me vonesa në ekzekutimin e rrogave.
Vonesa e pagës ka shkaktuar pakënaqësi dhe vështirësi ekonomike për punëtorët, të cilët këtë të hënë thirrën protestë në shenjë pakënaqësie.
Por, jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar.
Në momentin e fundit ata anuluan protestën , pasi që kompania përgjegjëse u premtoi zgjidhje.
Njëri nga punëtorët e kësaj kompanie thotë se një situatë e tillë ia ka rënduar edhe më shumë gjendjen financiare që ai ka.
“Kërkesa ime është që paratë të dalin në kohë, e konkretisht sot të dalin paratë për mua nga drejtori i kompanisë së sigurimit “Skyftera”. Unë jam me qira, në mbrëmje ndoshta pronari më largon nga shtëpia. Ku me shku unë me familje? Ju kisha lut prej tokës e në qiell le t’i më vendosë paratë e mia. Të premten u bë një zgjidhje, e deri të premten është shumë për mua. Është dashur me na i qitë më të pestën, e sot është i pesëmbëdhjeti”, thotë Rrustem Syla – punëtorë.
E në anën tjetër, kompania e sigurimit “Skyfterat – Live “ në një përgjigje për Tëvë1 ka treguar se problemet e tilla kanë ardhur si rrjedhojë që Komuna e Prishtinës nuk i ka paguar këta të fundit.
“Ju njoftojmë që ne i kemi ekzekutuar të gjitha pagesat me kohë tek punëtorët e sigurimit, ngecja është nga Komuna e Prishtinës, e cila nuk ka ekzekutuar pagesën e tre (3) faturave. Edhe pas mos-ekzekutimit të pagesave, ne kemi vazhduar me pagesën e rregullt të stafit të sigurisë deri në këtë muaj. Këtë muaj jemi dy ditë vonesë në pagesat e stafit, të cilat do të realizohen brenda dy ditësh nga buxheti i kompanisë. Vlen të ceket që jemi edhe në procedurë përmbarimore me Komunën e Prishtinës. Kemi pasur takime dhe kemi kërkuar që mos të bllokohet procesi i punës së shërbimit të sigurisë, apo në rastin më të keq, bllokim pune – kompania obligohet të sjellë staf të përkohshëm për mbajtjen e rendit dhe sigurisë në Komunën e Prishtinës”, thuhet nga kompania.
Për të njëjtën çështje, televizioni teve1 ka tentuar gjatë gjithë ditës të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por të njëjtët nuk ishin të qasshëm.