Punëtorët e RTK-së pa paga – Bimbashi: Janë gjetur para për KQZ-në, le të gjenden edhe për RTK-në
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Gëzim Bimbashi, ka deklaruar se punëtorët janë të detyruar të organizojnë protestë për shkak të krizës financiare që ka kapluar këtë televizion publik. Bimbashi u bëri thirrje institucioneve qendrore që të punojnë që sa më parë të bëhet zgjidhje për 700 punëtorët e RTK-së…
Lajme
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Gëzim Bimbashi, ka deklaruar se punëtorët janë të detyruar të organizojnë protestë për shkak të krizës financiare që ka kapluar këtë televizion publik.
Bimbashi u bëri thirrje institucioneve qendrore që të punojnë që sa më parë të bëhet zgjidhje për 700 punëtorët e RTK-së që aktualisht kanë mbetur pa paga.
“Tash nuk kemi Kuvend, më herët e kishim Kuvendin të themeluar për komisionin për buxhet dhe transfere dhe thirrjen e bënim për të gjithë ndërkaq tash nuk kemi Kuvend është shpërbërë ashtu siç e dini. Thirrjen ia drejtojmë kryeministrit Kurti që ta bëj zgjidhjen, ka mundwsi dhe ka zgjidhje ligjore”, u shpreh Bimbashi.
Ai shtoi se duhet të gjendet zgjidhje për RTK-në ashtu siç u gjenden fonde për KQZ-në dhe institucione të tjera.
“Janë gjetur para për KQZ-në dhe për institucione tjera, le të gjenden edhe për RTK-në”, shtoi ai.
Punëtorët e RTK-së vazhdojnë grevën e tyre për shkak të mungesës së pagave. Protesta ka filluar nga ora 11:00 deri në ora 13:00, gjatë së cilës punëtorët shprehën pakënaqësitë e tyre, duke kërkuar falje qytetarëve për mostransmetimin e lajmeve.
Sipas punëtorëve, protesta do të vazhdojë deri sa të gjendet një zgjidhje për problemin e pagave./kp