Punëtorët e RTK-së mbeten pa paga, paralajmërojnë grevë njëorëshe nesër
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar se situata financiare e institucionit është shumë e rënduar, pasi punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërkohë që hyjmë në muajin dhjetor. Nëpërmjet letërnjoftimeve zyrtare dërguar drejtuesve të Bashkimit Evropian, përfshirë Kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der…
Lajme
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar se situata financiare e institucionit është shumë e rënduar, pasi punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërkohë që hyjmë në muajin dhjetor.
Nëpërmjet letërnjoftimeve zyrtare dërguar drejtuesve të Bashkimit Evropian, përfshirë Kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, sindikata ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe ka theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të punonjësve, transmeton lajmi.net.
Sindikata ka paralajmëruar se të hënën, nga ora 11:00, punonjësit do të zhvillojnë një grevë simbolike njëorëshe në oborrin e RTK-së, duke pezulluar punën në të gjitha njësitë e institucionit. Ky veprim, sipas sindikatës, synon të kërkojë drejtësi dhe pagesa të rregullta për të gjithë punonjësit.
“Situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme,” thuhet në njoftimin e sindikatës.
Letra e plotë:
Nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)
Sindikatë e Punëtorëve të RTK-së njofton opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare se gjatë ditëve të fundit kemi dërguar letra zyrtare:
• Roberta Metsola, Kryetarja e Parlamentit Evropian
• Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian
• Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian
Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor.
Ne gjithashtu kemi theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.
Për të shprehur revoltën tonë dhe për të mobilizuar solidaritetin, njoftojmë se të hënën, nga ora 11:00 në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe. Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta.
Si Sindikatë, ne ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme.
Gëzim Bimbashi
Kryetar
Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)./lajmi.net/