Punëtorët e RTK-së edhe sot në grevë

Punëtorët e RTK-së do ta vazhdojnë grevën e përgjithshme edhe sot. Greva, në të cilën janë përfshirë rreth 700 punonjës të transmetuesit publik, do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, me pezullimin e plotë të punës në të gjitha sektorët, derisa të bëhet ekzekutimi i pagave, transmeton lajmi.net. RTK po kalon…

Lajme

26/11/2025 09:18

Punëtorët e RTK-së do ta vazhdojnë grevën e përgjithshme edhe sot.

Greva, në të cilën janë përfshirë rreth 700 punonjës të transmetuesit publik, do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, me pezullimin e plotë të punës në të gjitha sektorët, derisa të bëhet ekzekutimi i pagave, transmeton lajmi.net.

RTK po kalon një nga krizat më të rënda në historinë e saj, pasi punëtorët kanë hyrë në muajin e dytë pa marrë pagë.

Mosshpërndarja e pagave për 24 ditë dhe vonesat e vazhdueshme financiare kanë ngritur shqetësime serioze për stabilitetin dhe pavarësinë financiare e editoriale të transmetuesit publik.

Sindikata dhe stafi e kanë cilësuar situatën si “krizën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë RTK-ja”, duke kërkuar nga Qeveria në detyrë ndërhyrje urgjente për të garantuar mbijetesën institucionale të mediumit publik.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një komunikim me organizata ndërkombëtare, ka thënë se pa funksionalizimin e komisioneve parlamentare nuk mund të ekzekutohen pagat e RTK-së.

Gjatë këtij muaji, punonjësit e transmetuesit publik kanë protestuar tri herë për pagat, por pa arritur zgjidhje. Për këtë arsye, greva ka nisur që nga e hëna.

Situata është përkeqësuar më tej pas shpërndarjes së Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani, për shkak të dështimit të partive politike për të formuar Qeverinë. Pa Kuvend funksional, komisionet parlamentare, përfshirë ato që lidhen me buxhetin e RTK-së, nuk mund të miratohen./lajmi.net/