Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë të hënën para Komunës së Prishtinës- këto janë kërkesat e tyre

Sindikata “Punëtori” nga kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi” ka bërë të ditur se do të organizojnë protestë më 19 maj ( të hënën), në ora 10:00. Kjo protestë është paraparë të mbahet para objektit të Komunës së Prishtinës, si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes…

Lajme

16/05/2025 13:41

Sindikata “Punëtori” nga kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi” ka bërë të ditur se do të organizojnë protestë më 19 maj ( të hënën), në ora 10:00.

Kjo protestë është paraparë të mbahet para objektit të Komunës së Prishtinës, si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes publike dhe të punëtorëve të saj.

Në njoftimin për media nga kjo sindikatë thuhet se protesta është e domosdoshme për shkak të mos-reagimit të Komunës së Prishtinës ndaj kërkesës së parashtruar më 15 maj, transmeton lajmi.net.

NJOFTIM PËR PROTESTË

Duke marrë parasysh kërkesën e Sindikatës “Puntori” të KRM Pastrimi, të datës 15.05.2025, drejtuar Komunës së Prishtinës, dhe mungesën e reagimit nga ana e saj, jemi të detyruar të ndërmarrim veprime sindikale.

Prandaj, njoftojmë se do të organizojmë protestë më datë 19.05.2025 (e hënë), duke filluar nga ora 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës.

Kjo protestë organizohet për të ngritur shqetësimet tona të drejta dhe për të kërkuar përgjigje për çështjet e mëposhtme:

  1. Pse kompanitë private paguhen 65 euro për një ton mbeturina, ndërsa KRM Pastrimi vetëm 35 euro?Ky diskriminim dëmton ndërmarrjen publike dhe punëtorët që e mbajnë funksionale.
  2. Çfarë ndodh me punëtorët e KRM Pastrimi nëse mbledhja e mbeturinave i jepet sektorit privat?Kërkojmë siguri të plotë për vendet tona të punës.
  3. Pse nuk zbatohet Rregullorja e Kuvendit Komunal lidhur me inkasimin, dhe ku janë mjetet që Komuna ka inkasuar nga data 01.01.2025?Kërkojmë transparencë të plotë dhe publikim të të dhënave financiare.
  4. Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Bekim Brestovci, ka deklaruar se ka ofruar kontratë në vlerë 1.5 milionë euro për punë shtesë për KRM Pastrimi – le ta bëjë publike atë kontratë!Kërkojmë qasje zyrtare dhe të drejtpërdrejtë në këtë dokument.
  5. Pse dy kamionët e rinj të blerë për KRM Pastrimi nuk janë dorëzuar tek kjo ndërmarrje?Kjo përbën pengesë për zhvillimin dhe efikasitetin e punës.
  6. Pse i jepet tenderi kompanive private, kur KRM Pastrimi është aset i Komunës së Prishtinës dhe përmban specialistë me përvojë mbi 70-vjeçare në këtë fushë?Injorimi i këtij kapaciteti është i pajustifikueshëm.
  7. Flitet vazhdimisht nëpër media se kush është fajtori për gjendjen në kompani – Komuna apo menaxhmenti?!Neve si sindikatë, këto politika dhe inate personale po na kushtojnë me vende pune dhe po shkaktojnë pasiguri tek punëtorët. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të kësaj qasjeje politike dhe llogaridhënie të qartë institucionale.

Kërkesat tona janë të qarta:

  • Trajtim i drejtë dhe i barabartë për ndërmarrjen publike KRM Pastrimi;
  • Siguri në punë për punëtorët dhe respektim i dinjitetit të tyre;
  • Zbatim të ligjit dhe transparencë financiare nga Komuna e Prishtinës;
  • Publikim të kontratave, vendimeve dhe investimeve që lidhen me ndërmarrjen;
  • Ndërprerje e politikave të dëmshme dhe faji institucional që po rëndon mbi punëtorët./Lajmi.net/