Punëtorët e KEK-ut kërkojnë nga partitë të rrisin pagat në sektorin publik

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë kërkuar nga partitë politike të cilat i janë futur garës zgjedhore për të udhëhequr me vendin nga 14 shkurti, që në platformat e tyre zgjedhore të përfshijnë edhe rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit me nga 150 euro.

Lajme

16/01/2021 14:38

“Kjo ngritje do të shërbejë edhe për rimëkëmbjen ekonomike dhe gjithashtu edhe për sektorin privat marrë parasysh pagën minimale që tani është 170€ dhe me këtë ngritje paga minimale duhet të bëhet 320€, dhe kështu pashmangshëm edhe sektori privat do të imponohet për ngritjen e pagave”, thuhet në një kërkesë të Sindikatës së Re të KEK-ut.

Siç kanë thënë nga kjo sindikatë, “mënyra lineare për ngritjen e pagave në Kosovë është e domosdoshme për arsye së në Kosovë në gjithë sektorin publik ka dallime të mëdha, marrë për bazë policin e thjeshtë dhe atë të graduar, dallimin në mes të mësuesit me nivel të njëjtë kualifikimi me arsimtarin, në mes të infermierëve të diplomuar me doktorët që kanë dallime të mëdha në paga etj”.

“Kjo ngritje e pagave në mënyrë lineare do të zbuste në masë të madhe pakënaqësitë pasi që më ligj për paga pashmangshëm se dikush do të avanconte veten apo grupe te caktuara të afërta me pushtetin”, ka thënë nënkryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica./Lajmi.net/