Punëtorët e KEDS paralajmërojnë protestë

Punëtorët e KEDS-it, i kanë dhënë ultimatum menaxhmentit të tyre se nëse deri me 10 prill nuk merret vendim për rritje e pagave, do të ngihen në protestë. Ata nuk refuzojnë as rritjen në mënyrë lineare, ashtu siç është bërë dhe në KEK.

Lajme

03/04/2014 14:26

Pas ngritjes së pagave për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, ngritje të pagave po kërkojnë dhe punëtoret e KEDS-it. Madje ata i kanë dhënë ultimatum menaxhmentit të KEDS-it, që nëse kërkesat e tyre nuk realizohen deri me 10 prill, atëherë ata paralajmërojnë protesta.

Punëtorët e KEDS kërkojnë rritje të pagave për kategori të ndryshme, duke filluar nga 50 euro deri në 130 euro, por nuk refuzojnë as rritjen në mënyrë lineare, ashtu siç është bërë dhe në KEK.

Ndërsa si kërkesa tjera, janë dhe pagesa e punës në festa, pagesat e punës jashtë orarit, pagesë për punëtorët që lëvizin nga një vend pune në tjetrin si dhe ndarje të bonuseve, në mënyrë korrekte dhe jo siç është bërë deri më tani.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Pavarur e Sindikatave të KEDS-it, në një konferencë për media tha se ata po i shprehin brengat e punëtorëve, të cilët përveç të tjerave po duan dhe ngitje të pagave.

“Në çoftë se menaxhmenti i KEDS-it, nuk e sheh të arsyeshme, që të ulet të bisedojë dhe t’i zgjidh problemet, që i kemi qit, është e paralajmëruar data”.

“Mbas 10 prillit do të veprojmë. Qysh do të veprojmë, janë format dhe mundësitë ligjore, që i ka dhënë Kuvendi dhe Qeveria”, raporton KosovaPress.

“Ne si përfaqësues të punëtorëve, mendojmë se ka mundësi, që me një vullnet, pa e dëmtuar askënd, sepse po ekziston mundësia që në KEK pas ndarjes së distribucionit, gjegjësisht shitjes privatizimit, ka pas ngritje të pagave dy herë”.

“Herën e parë ka qenë në mënyrë lineare 50 euro dhe tash së fundi me vendimin e qeverisë dhe aprovimin e bordit të KEK-ut, është për 120 euro….Kurse e kundërta është në KEDS. Jo që nuk ka ngritje, por ka destimulim të saj”, tha ai.

Edhe Sherif Fejzullahu, anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Sindikatës së Distriktiti të Gjilanit, tha se shqetësimet e punëtorëve të KEDS janë jashtëzakonisht serioze, pasi që punëtorët janë në presion të vazhdueshëm. Duke marrë parasysh situatën e krijuar në KEDS, ai thotë se kanë arsye që të dalin dhe në protestë.

“Kemi arsye që neve të mendojmë për protesta, nëse ngritjae pagave nuk i ofrohet KEDS-it. Janë ngrit pagat në shërbimin civil, janë ngrit pagat në KEK, janë ngit pagat për shumë kategori në Kosovë. E punëtorët e KEDS-it, që janë si shërbim publik dhe mirëmbajnë gjithë territorine Kosovës. Një organizatë jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin. Atëherë ne me të vërtetë kemi arsye me mëndu për protesta”, tha ai.