Punësimi i grave mbetet ende sfidë për institucionet

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), kanë organizuar sot takimin e parë të “Komitetit rajonal për rritjen e qasjes së grave në punësim”.

Lajme

28/05/2019 17:07

Ky komitet përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore të tilla si: Institucioni i Avokatit të Popullit, Ministria e Punës dhe Mirëqenës/Mbrojtjes Sociale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe odave ekonomike, nga Kosova dhe Shqipëria.

Qëllimi kryesor i komitetit rajonal është të shkëmbej informatat dhe rekomandimet lidhur me politikat e punësimit, të inicioj dhe udhëheqë strategji dhe iniciativa avokuese në nivel rajonal, të cilat kontribuojnë në rritjen e punësimit të grave.

Në fjalimin e tij, Ambasadori Norvegjez Per Strand Sjaastad theksoi rolin e veçantë që ka komiteti rajonal në adresimin e çështjes së diskriminimit të grave në tregun e punës dhe nevojën për avokim, në nivel institucional dhe politikë-bërës. Ai përmendi se Kosova ka strukturën ligjore në fuqi e cila ju jep të drejta të barabarta burrave dhe grave. Por, tha se formaliteti nuk është gjithmonë i mjaftueshëm, dhe se për fuqizimin e grave në tregun e punës është i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit me sektorin privat dhe se duhet të sigurohet implementimi i ligjeve në fuqi, në të dy vendet.

Avokatja e popullit në Shqipëri Znj. Erinda Balanca, vlerësoi se fuqizimi i grave në pozita vendimmarrëse shërben si model pozitiv edhe për të gjitha gratë tjera. Ajo me tutje theksoi se  duhet të ketë qasje fuqizuese karshi grave në adresimin e kësaj çështje pasi që në këtë mënyrë ju ndihmojmë atyre të realizojnë potencialin profesional. Ndërsa Avokati i popullit në Kosovë Z. Hilmi Jashari ka theksuar se si vlerë themelore në kushtetutën e vendit është parimi i barazisë gjinore dhe se Kosova ka një strukturë të mirë ligjore, por se implementimi i tyre vazhdon të mbetet sfidë. Punësimi i grave është një prej sfidave me të cilat ballafaqohemi si shoqëri dhe se implementimi i duhur i ligjeve dhe dokumente strategjike do të mund të adresonin në mënyrë të dukur këtë problematikë.

Mirela Arqimandriti, nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim u shpreh se barra më e rëndë e punëve të papaguara ju mbesin grave, ndërsa tek gratë që punojnë, e sidomos në sektorin privat ka evidencë të shkeljes së të drejtave të tyre.

Në ndërkohë, përfaqësues të ministrive përkatëse nga Kosova dhe Shqipëria prezantuan punën e ministrive për të adresuar çështjen e punësimit të grave. Znj. Merita Haxhaj nga Ministria për Punë dhe Mbrojtje Sociale në Shqipëri ndër të tjera tha se rritja e pavarësisë ekonomike të grave si dhe nxitja për më shumë pjesëmarrje në programe të formimit profesional të punësimit janë edhe objektivat kryesore të qëllimit strategjik të ministrisë. Ndërsa, Z.Taulant Selmani nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë potencoi se ministria ka adresuar tashmë këtë çështje përmes përpjekjeve dhe intervenimeve strategjike duke marrë parasysh nivelin e lartë të jo-aktivitetit të grave në tregun e punës dhe se kanë në plan që të fillojnë procesin e zhvillimit të një plani strategjik për fuqizimin e grave në tregun e punës.

Gjatë diskutimit nga anëtarët tjerë të komitetit, fokusi u vë edhe tek sfidat me të cilat ballafaqohen gratë, ndër të tjera, që lidhen me qasjen e tyre në tregun e punës, diskriminimin, mungesën e qasjes në informata dhe trajnime, sidomos për gratë në zonat rurale.

Ky komitet do të vazhdoj punën duke mbajtur takime të rregullta të përbashkëta, për të shtyrë përpara proceset që promovojnë fuqizimin ekonomik të grave, përmes avokimit në nivel të politikë-bërjes. Për më shumë, do të forcojë bashkëpunimin me sektorin privat dhe do të koordinojë përpjekjet e përbashkëta për të adresuar sfidat e rritjes së punësimit të grave.

Komiteti Rajonal, është pjesë e projektit regjional “Rritja e qasjes së grave në punësim”, mbështetur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në PrishtinëPërmes këtij projekti synohet rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, duke avokuar kundër diskriminimit gjinor, promovimit të punës së denjë dhe zbatimit të strategjive miqësore gjinore, që përmirësojnë praninë e grave në tregun e punës.