Publikohen mënyrat e votimit për Shqipërinë në ‘Eurovision 2025’ – si mund të votojnë shqiptarët nga diaspora për ta çuar vendin në finale

Sonte (e martë), Shqipëria ngjitet në skenën e ‘Eurovision Song Contest 2025’ me përfaqësuesit “Shkodra Elektronike” dhe këngën “Zjerm”, duke konkurruar në gjysmëfinalen e parë të festivalit më të madh muzikor në Evropë. Në këtë natë të rëndësishme, 15 shtete do të marrin pjesë në garë, por vetëm 10 prej tyre do të kualifikohen për…

ShowBiz

13/05/2025 18:06

Sonte (e martë), Shqipëria ngjitet në skenën e ‘Eurovision Song Contest 2025’ me përfaqësuesit “Shkodra Elektronike” dhe këngën “Zjerm”, duke konkurruar në gjysmëfinalen e parë të festivalit më të madh muzikor në Evropë.

Në këtë natë të rëndësishme, 15 shtete do të marrin pjesë në garë, por vetëm 10 prej tyre do të kualifikohen për në finalen e madhe që do të mbahet të shtunën. Për të siguruar një vend mes më të mirëve, Shqipëria duhet të marrë një vlerësim të lartë nga juria profesionale dhe publiku – të dyja me peshë të barabartë prej 50% në renditjen përfundimtare.

Faqja zyrtare Eurovision Albania në Instagram ka publikuar tashmë të gjitha mënyrat se si shqiptarët mund të votojnë për të përkrahur grupin “Shkodra Elektronike”. Votimi do të hapet në fund të mbrëmjes dhe është i mundur nga të gjithë qytetarët që jetojnë në shtetet që marrin pjesë në natën e parë gjysmëfinale dhe që kanë të drejtë të votojnë. Shqipëria është e 12-ta me radhë, me çka për të votuar, duhet dërguar vetëm kodin “12”.

Votimi telefonik është i mundur nga shtetet e mëposhtme:

Islanda
Polonia
Sllovenia
Estonia
Spanja
Ukraina
Suedia
Portugalia
Norvegjia
Belgjika
Italia
Azerbajxhani
San Marino
Holanda
Kroacia
Zvicra
Qipro

Banorët e këtyre vendeve mund të votojnë për Shqipërinë duke përdorur numrin telefonik të dedikuar të votimit që shfaqet gjatë transmetimit të Eurovision-it në kanalin kombëtar të secilit vend.

Ndërkohë, për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë ose pjesën tjetër të botës, votimi është i mundur online në faqen zyrtare të Eurovision-it: www.esc.vote. Mjafton të hyjnë në këtë platformë gjatë intervalit të votimit dhe të zgjedhin Shqipërinë si votën e tyre.

Përkrahja e publikut është vendimtare për të ndihmuar “Shkodra Elektronike” që të përçojë “Zjermin” e saj në skenën finale të Eurovisionit 2025. Mos harroni të votoni dhe të ndani mesazhin me miqtë e familjarët kudo që ndodhen në Evropë – çdo votë është e vlefshme!

Finalja e madhe e Eurovisionit do të mbahet të shtunën, më 17 maj, në Bazel të Zvicrës.