Publikisht me Zafirin
Fatmir Limaj ka dalë publikisht për ta mbështetur Zafir Berishën në Prizren. Ai ftoi qytetarët të qëndrojnë prapa njeriut të tyre, ndërsa bëri edhe një paralajmërim. “Më 1 dhjetor fillon rrugëtimi ynë i përbashkët. Po vijmë, Prishtinë”.
Lajme
Fatmir Limaj me gjithçka është duke treguar se rrugët e tij me PDK’në janë ndarë, ndonëse ende është duke pritur për ta thënë këtë zyrtarisht.
Të enjten, ai ka dalë publikisht në mbështetje të Zafir Berishës në Prizren, në manifestimin e 28 Nëntorit, që është organizuar në lagjen “Tusuz” nga Bashkimi Demokratik.
Limaj, siç raporton PrizrenPress, ka kërkuar nga qytetarët e Prizrenit që të qëndrojnë pas Zafir Berishës, i cili garon bashkë me Eqrem Kryeziun e LDK’së në balotazhin e 1 dhjetorit kundër Ramadan Mujës së PDK’së.
Gjatë fjalimit të tij para simpatizantëve të BD’së, Fatmir Limaj ka kërkuar që të mos qëndrojnë “prapa atyre që për dëshmorët e kombit kujtohen vetëm një herë në katër vjet.”
“Zafiri ka punuar dhe ecur në rrugën e dëshmorëve. Ai për asnjë moment nuk ju ka lënë vetë, prandaj qëndroni mbrapa njeriut tuaj”.
“Shkoni mbrapa Zafirit se iu bie mirë të gjithëve. Ka ardhur koha që Prizreni ta ketë njeriun e vet. Unë do të qëndroj afër Zafirit, ashtu siç ka qëndruar ai mbrapa meje në kohërat më të vështira”.
Limaj ka paralajmëruar se nga 1 dhjetori, bashkë me Zafir Berishën, do të vazhdojnë angazhimet e tyre politike.
“Me 1 dhjetor fillon rrugëtimi ynë i përbashkët. Nga këtu e paralajmërojmë Prishtinën, se ne po vijmë”.