Pse votova pro (kundër demagogut Cipras)

I parë në tërësi, referendumi i djeshëm grek m’u duk një farsë “demokratike”. Votuesve iu dha një javë t’i përgjigjeshin një pyetjeje, që ata nuk e kuptuan (unë për vete thjesht e hamendësova kuptimin e pyetjes). Pyetja ishte rreth disa dokumenteve të BE-së që votuesit nuk mund t’i gjenin lehtësisht (unë e gjeta një kopje të dokumenteve vetëm të enjten, por s’isha i sigurt për autenticitetin e tyre).

Opinion

06/07/2015 11:59

Ne grekët duhet të votonim bazuar në deklaratat demagogjike të Ciprasit dhe Varufakisit (“Po na shantazhon Europa”), të cilët në mënyrë të hapur manipulative, vendosën “Jo”-në të parën në fletën e votimit.

Pretendimi i Cipras/Varufakis se, në qoftë se “Jo”-ja fiton, ata kanë një marrëveshje të fshehtë në sirtar, sipas së cilës, bankat greke do të rihapen të hënën, ishte thjesht një mashtrim. Një marrëveshje e tillë thjesht nuk ekziston (edhe në qoftë se “Po”-ja do të përbënte shumicën në referendum, bankat nuk mund të hapen të hënën). Për të gjitha këto arsye (si dhe për qeverisjen e keqe qysh nga shkurti), unë nuk mund t’i besoj kësaj qeverie për t’i dhënë votën që ajo kërkoi në këtë referendum.

Unë duhet t’i besoj trurit tim dhe truri im më thotë se Greqia do të jetë më mirë brenda Europës sesa jashtë saj. Prandaj unë votova “Po”.

Unë e di që “Po”-ja ime nuk do të thotë automatikisht që Greqia do të jetë e sigurt në eurozonë.  Në fakt, shanset që të mbetemi në eurozonë do të ishin 50%, edhe në qoftë se “Po”-ja do të fitonte.

A ka nevojë Greqia për ndihmë të mëtejshme nga Europa? Pa diskutim. A duhen zbutur masat shtrënguese ndaj Greqisë? Pa diskutim. Por që t’i arrinim këto objektiva, nuk duhej ta kishim polarizuar shoqërinë greke dhe ta kishim gjymtuar kombin me referendumin.

*Autori, studiues në Harvard Business School, shkoi dje në Greqi për të votuar në referendum. 

(Telegraph.co.uk – Në shqip nga Mapo.al)