“Pse nuk u takuat me askënd nga DASH-i gjatë qëndrimit në Amerikë?” – Kurti largohet pa thënë asnjë fjalë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin kanë marrë pjesë në një punëtori njëditore me inspektorët e arsimit, me temën “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, të organizuar nga Inspektorati i Arsimit. Derisa Kurti po largohej nga salla, është takuar me gazetarët të cilët i kanë…

Lajme

06/10/2025 11:11

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin kanë marrë pjesë në një punëtori njëditore me inspektorët e arsimit, me temën “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, të organizuar nga Inspektorati i Arsimit.

Derisa Kurti po largohej nga salla, është takuar me gazetarët të cilët i kanë shtruar pyetje.

“Pse nuk u takuat me askënd nga DASH-i gjatë qëndrimit në Amerikë?”, ishte pyetja që mori Kurti e të cilës nuk iu përgjigj.

Ai u largua nga salla pa thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë temë.

Kjo pyetje ka ardhur pasi ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, ndërsa arsyeja për këtë kanë thënë që është qëndrimi dhe deklaratat e Kurtit për Gjykatën Kushtetuese.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, ka njoftuar ambasada e SHBA-ve më 12 shtator.

Pas kësaj ndërprerje, Kurti më 28 shtator ka deklaruar se kjo ka ndodhur për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, për çka ka thënë se nuk mund të bëj kompromise.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.

Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.

Gjatë javës së kaluar, në SHBA ka qëndruar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Për këta dy të fundit, kanë ardhur reagime të shumta pasi që të njëjtit nuk kanë realizuar takime me zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë apo Departamenti Amerikan i Shtetit, por me senatorë amerikanë, e që nga analistë dhe persona të tjerë në Kosovë është parë si mospritje e SHBA-ve për Kurtin dhe Gërvallën. /Lajmi.net/ 

Video: