Pse nuk e kandidoi edhe për një mandat? – Osmani për Kurtin: Kërkonte një President spektator e jo një që përfaqësonte vendin jashtë

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë pesë viteve të fundit që udhëhiqte shtetin e Kosovës, tha se nga i pari i Qeverisë kishte marrë vetëm fjalë të mira e komplimente për politikën e jashtme. Por, pavarësisht kësaj diçka ndryshoi. Në mars të 2026-tës, Osmani nuk gjeti mbështetjen e Kurtit për ta vazhduar detyrën e saj…

Lajme

08/04/2026 10:14

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë pesë viteve të fundit që udhëhiqte shtetin e Kosovës, tha se nga i pari i Qeverisë kishte marrë vetëm fjalë të mira e komplimente për politikën e jashtme. Por, pavarësisht kësaj diçka ndryshoi.

Në mars të 2026-tës, Osmani nuk gjeti mbështetjen e Kurtit për ta vazhduar detyrën e saj si Presidente e Kosovës edhe për pesë vite të tjera, e për këtë ajo tha se Kurtit po i “pengonte” angazhimi i saj në politikë të jashtme.

Duke e vlerësuar jashtëmase kontributin e saj në marrëdhënie të mira me aleatë, Osmani tha se Kurti në fund të mandatit të saj kishte thënë se i duhet një President/e që nuk është i fokusuar në politikë të jashtme.

“Secili prej nesh mund të kemi çfarë do qëndrime që duam rreth asaj se si duhet të jetë Presidenti, por ajo që nuk mund ta anashkalojmë është ajo çfarë kërkon Kushtetuta. Kushtetuta kërkon që Presidenti ta përfaqësoj vendin jashtë, dhe që ai të udhëheq politikën e jashtme e jo të jetë spektator. Në Kushtetutën tonë, vendin tonë, një President nuk mund të jetë spektator. Nuk ka qenë spektator asnjë president as para meje dorën në zemër. Spektator e dini që nuk ka qenë Presidenti Rugova, ai e ka determinuar politikën e jashtme dhe orientimin tonë strategjik. Nuk ka qenë spektator asesi Presidenti Sejdiu, kam punuar me të 5 vite dhe angazhimi ynë në atë kohë ka qenë politika e jashtme.  Spektatore nuk ka qenë as Presidentja Jahjaga e nuk ka qenë as Presidenti Thaçi. Ne mund të kemi pas dallime mes vete mes asaj si dikush e ka përfaqësuar, por jo a e ka përfaqësuar apo jo”, ka thënë Osmani mbrëmë në T7.

Ndonëse nuk e tha drejtpërdrejtë, ajo mendon se “krisja” e raportit mes saj dhe Kurtit është angazhimi i saj në marrëdhenie me aleatë, e që sipas saj për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit, Presidentit ia obligon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Kushdo që ka menduar që jam politikane që mbyllet prapa derës dhe fshihet pas mandatit e kanë pas gabim. Ky është qëndrim që në fund e ka bërë me dije, megjithatë pavarësisht vlerësimit të kryeministrit unë e kam kryer detyrën time me dinujitet, e kam mbrojtur interesin e Kosovës.  Ai tani mund të jep vlerësime të tjera të cilat në fakt kanë qenë në superlativ për gjatë 5 viteve, por në fund ka qëndrim krejt tjetër për institucionin e Presidentit se që e ka pas pesë vite më parë”, ka thënë Osmani.

Për raportin e saj me Kurtin, ajo nuk zgjodhi të flasë shumë, ndërkaq mes rreshtave tregoi se kishte edhe gjëra të tjera ku nuk pajtoheshin.

Sipas saj, ajo nuk ishte pajtuar as me Marrëveshjen e Brukselit e Aneksin e Ohrit saktësisht nenin 7 dhe 10 të tij, që tha se nuk sqarohet se pka nënkupton vetëmenaxhimi dhe të drejtat e Kishës Serbe.

Ajo ka thënë se këto nuk u qartësuan as me Aneksin e Ohrit, por që shpresonte se do të qartësoheshin përmes Planit të Implementimit.

“Aty nga ajo që na është dorëzuar, kërkesa e parë në dokumentacion në kontekstin që kërkesat tona si Presidencë kanë qenë shumë më të larta me Lajçakun, dhe ai arsyetohej që nuk mund ta marrin këtë parasysh sepse Qeveria ka kërkuar që hapi i parë të jetë fusnota. Hapi i parë që unë kam kërkuar ka qenë anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtara, ka qenë hap i rëndësishëm. Lënja e kërkesës së saj të fundit ishte e rrezikshme sepse Serbia mund t’i marrë të parat dhe pastaj të tërhiqet. Por, megjithatë ai Plan i Implementimit kurrë nuk është arritur, me Sorensenin ai mund të riaktualizohet por nuk dihet si. Ndoshta komrpomisi i Kosovës për strukturat ilegale është rruga përpara por nuk jam e informuar”, ka shtuar Osmani.

Pas përfundimit të mandatit të saj, Osmani tha dje hapur se nuk e vlerëson punën që kryeministri Kurti e ka bërë në lidhje me dialogun me Serbinë.

Biles, ajo i këshilloi të mendoheshin dy herë ata që mendonin se kjo ishte “pika më e fortë” e tij.

“Kosova gjatë këtij procesi është dashur të vendos t’i besoj SHBA-ve më shumë se Lajçakut”, ka shtuar Osmani.

Pasi Kurti nuk e mbështeti, Osmani u shpreh tejet e zhgënjyer. Ajo në këtë intervistë të dhënë dje, i komentoi akuzat që vinin nga akterë të VV-së, e që thonin se ajo bashkë me opozitën apo kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, i kishin bërë një “puç” Albin Kurtit për ta rrëzuar.

Ajo e ka mohuar këtë, ndërsa tha se nëse do të donte ta rrëzonte Qeverinë nuk do të kërkonte të rizgjidhej si Presidente. Sipas saj, rizgjedhja e saj në krye të shtetit, i garantonte VV-së 51% e jo ndërprerjen e saj.

“Nëse do të kisha plane tjera, fare nuk do të merresha me Presidencën. Sikur të kisha plane tjera do të kandidoja edhe në zgjedhjet e dhjetorit, apo do të insistoja të mos respektoheshin afatet kushtetuese por të jepeshin edhe 60 ditë siç kërkonin në mënyrë kundërkushtetuese, ashtu që të bëhej një gjë e tillë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se për akuzat që i janë bërë për bashkëpunim me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë apo Rusinë, do t’i drejtohet Gjykatës.

“Me komentues nuk merrem, por me ata që janë sot në politikë por më kanë akuzuar padrejtësisht për pjesëmarrje në situata të tilla, do të merrem në Gjykatë deri në frymën e fundit”, ka thënë ajo.

Osmani ka folur edhe për Albin Kurtin, dhe “mbrojtjen” që ajo ka thënë se i ka bërë atij.

“Unë e kam mbrojtur kryeministrin Kurti kur të gjithë donin ta rrëzonin, por ai më rrëzoi mua kur të gjithë më kërkonin si Presidente. E kam mbrojtur edhe në momente të rënda si marsi 2020, edhe sfida të shumta gjatë këtyre 5 viteve. Kur të gjithë donin ta rrëzonin unë dilja ta mbroja, kur populli më kërkonte ai e bëri të kundërtën.  Bashkëpunimi ynë ka qenë garanca e një mandati tjetër të Qeverisë, ata nuk e duan, juu uroj suksese ta zgjedhin Presidentin e ri”, ka thënë Osmani.

Në lidhje me mundësinë për të kandiduar përsëri për Presidente, Osmani e ka parë pak a shumë si të pamundur.

“Unë nuk mund të kërkoj mbështetje nga partitë opozitare kur nuk e kam mbështetjen e partisë më të madhe shumë para dekretit”, ka shtuar ajo.

Vjosa Osmani e ka përfunduar mandatin e saj si Presidente me 4 prill të 2026-tës. 30 ditë më parë, në seancën e Kuvendit të Kosovës Albin Kurti nuk e kishte kandiduar atë për Presidente. Dy kandidaturat ishin Vjosa Osmani dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku të cilët nuk arritën as të bëjnë kuorumin për votim.

Menjëherë pas dështimit për të zgjedhur Presidentin, Osmani ka nënshkruar dekretin për shpërndarje të Kuvendit. VV këtë dekret e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, e cila i tha kohë edhe 34 ditë partive që të zgjedhin Presidentin.

Ndonëse kanë mbetur edhe 20 ditë, ende nuk është bërë ndonjë përpjekje konkrete për të zgjedhur Presidentin. Detyrën e Presidentes e ka marrë me 4 prill kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, e cila do ta mbaj këtë detyrë deri në zgjedhjen e Presidentit.

Në rast se ky obligim kushtetues për zgjedhjen e Presidentit nuk bëhet brenda afatit kohor të dhënë nga Kushtetuesja, vendi shkon përsëri në zgjedhje. /Lajmi.net/