Pse nuk duhet rrëzuar Edi Rama

Skandalet e neveritshme që po i lënë vend njëra tjetrës i kanë nxitur krerët e dy partive më të mëdha opozitare të shpalosin me nxitim fundin e Edi Ramës dhe të kërkojnë largimin e tij.

Lajme

07/11/2017 13:31

Të nisur nga implikimi i pamohueshëm me trafikantët e drogës, nga pafuqia për tu ndarë nga bashkëpunëtorët që e mbajnë peng, nga brerja totale e moralit të rilindjes dhe nga paaftësia për të qeverisur këtej e tutje, kundërshtarët e tij po kërkojnë të lajnë duart sa më shpejt me të.

Në të gjithë këtë nxitim ka në fakt një qasje të gabuar strategjike që shkon në drejtim të kundërt me interesin publik.
Jo, Edi Rama nuk duhet rrëzuar me nxitim dhe tani për tani. Dhe kjo, jo për ndjesinë perverse që i bën ekzekutorët ta mbajnë sa më gjatë viktimën e tyre me litarin në fyt. Edi Rama duhet lënë në detyrë, sepse këtë herë loja nuk duhet të mabrojë vetëm me goditjen e tij, por me shembjen e të gjithë sistemit që ai ngriti.

Prandaj shoqëria duhet të veprojë me të (për të marrë një shembull nga kronikat e fundit) njësoj si prokuroria e Katanias veproi me përgjimet Habilaj -Tahiri. Ajo nuk bëri arrestime që me kapjen e ngarkesës së parë, por priti gjatë deri sa zbardhi gjithë mënyrën se si funksiononte banda.

Për të njëjtën arsye edhe Edi Rama nuk duhet rrëzuar që pas kësaj goditjeje. Kjo tani duket e lehtë, sepse ai ngjan me një qen të rrahur dhe të kapur me duart të zhytura në krim. Por, pikërisht për këtë, ai duhet mbajtur edhe pak në zyrën me flutura.
Sepse duke ditur pozitën e tij me brekë nëpër këmbë, aty do të dynden këtej e tutje të gjithë ujqërit grabitqarë të vendit. Të gjithë ata që e kanë mbështetur deri sot dhe të gjithë ata që do duan t’i rrëmbejnë edhe firmën e fundit në këtë moment të vështirë.

Edi Rama duhet mbajtur në atë zyrë në mënyrë që të gjithë ne së bashku të identifikojmë, tok me të edhe njerëzit që do vazhdojnë të marrin koncesione prej tij, pazarxhijtë që do e shfrytëzojnë këtë fund pushteti për të rrëmbyer lejet e ndërtimit, gazetarët që do fusin në xhep bakshishin e radhës për të dalë të mbrojnë të pambrojtshmen në studio televizive.
Mbajtja e Edi Ramës këtej e tutje në zyrë, më shumë sesa e dëmi që ai i bën këtij vendi sa herë që shkel atje, është e dobishme për shoqërinë, se ajo na bën më të dukshme se kush është në anën e së mirës dhe se cilët janë në kampin e së keqes.
Se cilët janë aleatë me krimin e drogën dhe duan të përfitojnë prej tyre dhe cilët janë të barrikaduar kundër këtij grupimi, politikanësh, oligarkësh dhe gazetarësh të paskrupullt.

Prandaj nxitimi për ta zbythur këtë kryeministër nga godina ku ngjiti markizën dhe mbolli kërpudhën nuk është gjëja që na duhet më shumë sot.

Tani, pushteti në agoni i Edi Ramës ka vlerën se, bashkë me të ne mund të identifikojmë të gjithë atë racë keqbërësish dhe oportunistësh, që mbrojnë edhe të pambrojtshmen për hir të përfitimeve vetiake.

Për këtë arsye, teza e opozitës se Rama duhet rrëzuar sot, nuk është ajo e duhura. Ky vend duhet t’j japë fund një herë e mirë flirtimit me idënë: “të ndryshojmë gjithçka, për të mos ndryshuar asgjë”.
Për më shumë se dhjetë vjet ne kemi parë të parakalojnë para syve tanë, Ilir Meta, Fatos Nano, Sali Berisha. Një nga një i kemi rrëzuar të gjithë. Po asnjëherë nuk i kemi prekur, por në të kundërt i kemi forcuar, të gjithë racën e atyre që kanë vjedhur dhe kanë bërë krime bashke me ta.

Këtë sërë të pandëshkueshme nga të gjitha pushtetet, Edi Rama po e përdhos edhe më keq. Ndryshe nga pararadhësit e tij, ai po e detyron atë, që në këmbim të fitimeve vetjake të bëhen komplisë edhe me pushtetin e krimit dhe të trafikantëve.
Paradoksalisht, ndonëse me kosto të mëdha, Edi Rama duhet të qëndrojë edhe pak në zyrë. Për të identifikuar aleatët e tij, biznesmenët që përfitojnë dhe personazhet publikë që e mbrojnë. Vetëm në këtë mënyrë, nesër, shoqëria do ta ketë më të lehtë të vendosë vijën ndarse midis atyre që ishin pro të keqes dhe atyre që u përpoqën t’i rrezistojnë asaj. Dhe kjo është një e mirë ku e ku më e madhe sesa thjeshtë shporrja e një njeriu.