Pse Ministria e Drejtësisë refuzoi të emërojë gjykatësin serb të Kushtetueses për noter?
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka refuzuar të emërojë gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij. Laban, paraprakisht, ishte rekomanduar nga Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, që funksionon në kuadër të Ministrisë. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë,…

Lajme
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka refuzuar të emërojë gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Laban, paraprakisht, ishte rekomanduar nga Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, që funksionon në kuadër të Ministrisë.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.
Kosova, për vite me radhë, ka qenë në mungesë të noterëve. Mbi 15 komuna kanë qenë fare pa noterë.
Deri më tani, numri i noterëve në të gjithë Kosovën, sipas Odës së Noterëve, ishte 49. Ata janë emëruar në vitin 2012, dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur emërime të reja.
Sipas Ligjit për Noterinë, numrin e noterëve dhe selitë e tyre i përcakton Ministria, ashtu që për territorin e një komune përcaktohet së paku një noter, por kjo mund të rritet me vendim të Ministrisë, ashtu që, për çdo 10.000 banorë të përcaktohet një noter.
Pas vitit 2012, procesi i emërimit të noterëve të rinj ka nisur në vitin 2019, por është anuluar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me arsyetimin për dyshime për keqpërdorime në testin e noterisë.
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se “procesi i përzgjedhjes së noterëve ka qenë i rregullt”.
Rasti ka kaluar edhe në gjykatë, me vendim, në shkurt të vitit 2022, se anulimi i konkursit ishte i jashtëligjshëm.
Procesi pastaj rifilloi nga zero në vitin 2023.
Më 15 korrik, Ministria e Drejtësisë ka publikuar vendimet për emërimin e 100 noterëve të rinj për komunat e ndryshme të Kosovës.
Në mesin e tyre, megjithatë, nuk ka asnjë pjesëtar të komunitetit serb, edhe pse ishin pesë aplikantë. Deri më tani, këtë profesion e ka ushtruar vetëm një serbe në Komunën e Novobërdës.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në procesin e fundit, asnjë kandidat serb nuk ka plotësuar kriteret.
Si është bërë përzgjedhja?
Nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, thanë se pas përmbylljes së afatit të aplikimit, gjatë muajit prill, 725 aplikime janë shqyrtuar nga Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, i cili përcakton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e pranueshmërisë në Shërbimin Noterial.
Komisioni përbëhet nga 4 anëtarë, të cilët emërohen nga Ministria e Drejtësisë dhe kanë mandat 3-vjeçar.
Disa nga kushtet e pranueshmërisë janë: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të ketë zotësinë e veprimit, të gëzojë integritet personal dhe profesional, të ketë diplomuar në njërin nga fakultetet juridike, sipas programit katërvjeçar, të ketë përvojë pune në fushën juridike së paku tri vite, ta ketë dhënë provimin për noter në Kosovë, i cili është organizuar në janar të këtij viti.
Sipas sqarimit të MD-së, me rekomandimin e Komisionit, gjatë emërimit të kandidatëve të suksesshëm, përparësi iu është dhënë kandidatëve të cilët kanë treguar sukses më të lartë në provimin e noterisë.
Sipas udhëzimit administrativ për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit për noterinë, kandidati ka kaluar me sukses provimin e noterisë nëse ka marrë si rezultat përfundimtar, nga pjesa e provimit me shkrim, dhe pjesa e provimit me gojë, së paku 59 pikë.
Sipas MD-së, 100 kandidatët që kanë kryesuar listën kanë “rastisur t’i kenë 73 pikë” minimum.
“Vetëm njëri nga 5 kandidatët serbë ka pasur mbi 73 pikë dhe është rekomanduar nga Komisioni për emërim në pozitën e noterit, ai është Radomir Laban, i cili është refuzuar nga ministrja. Dhe kjo, pas pranimit të informacioneve dhe raportit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë lidhur me profilin dhe integritetin e tij”, ka thënë për REL-in, Genc Nimoni, shefi i kabinetit të ministres Albulena Haxhiu.
Kush është Radomir Laban?
Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.