Provokojnë rëndë serbët në Prizren, në ceremoni fetare thërrasin “Kosova është Serbi”

Me flamuj të Serbisë dhe këngë nacionaliste sot disa serbë kanë dalë në rrugët e Prizrenit në një ceremoni.

Lajme

03/10/2020 20:43

Te Kisha e Shën Premtes, e njohur si Kisha e Levishës, ata brohoritën edhe sloganin “Kosova është Serbi” në gjuhën serbe.

Këto thirrje nacionaliste i kanë shqetësuar banorët shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të Prizrenit.

Ndërkaq, ka reaguar edhe KMLDNJ-ja në Prizren duke thënë se aktet e tilla nuk i kontribuojnë përmirësimit të marrwdhënieve ndëretnike.

“Keqpërdorimi i ceremonive fetare dhe provokimi me këngë nacionaliste e serbëve të ardhur për ceremoni festive familjare si dhe përdorimi i flamurit serb është akt i dënueshëm dhe nuk i kontribuon marrëdhënieve ndëretnike, si dhe ndërtimit të ardhmes për të gjitha komunitetet. Përndryshe, Prizreni njihet si qytet ku diversiteti kulturor si dhe toleranca ndëretnike janë virtyt dhe shembull i qytetit të lashtë. Mirëpo, akte të tilla janë skandale në vete që KMDLNJ i dënon dhe kërkon që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.

Portali është në pritje të përgjigjes zyrtare nga Policia e Kosovës, nëse është marrë masa kundër këtij grupi.

Këtë kishë të serbëve, policia e ruan çdo ditë në Prizren.