Protestuesit futen në klinikën ku qëndronte Lushtaku
(E plotësuar) Protestuesit të cilët kundërshtonin transferimin e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës apo pjesëtarët e të ashtuquajturit ‘Grupi i Drenicës’, në burgun serb të Mitrovicës, tashmë kanë hyrë në objektin e Radiologjisë përkatësisht pranë dhomës ku sipas tyre gjendet Sami Lushtaku.

Lajme
Me të provuar gazetarët të futen brenda, ata i kanë dëbuar duke mos i lënë as të qëndrojnë në korridor e as të filmojnë, raporton Kosovapress.
________________________________________________
Zyrtare, Lushtaku është arratisur
(E plotësuar) Vazhdojnë të mbahen të rrethuara nga forca policore objektet e QKUK, në kërkim të Sami Lushtakut, pjesëtar i Grupit të Drenicës, i dyshuar për krime lufte, i cili me të tjerët duhej të transferohej në Burgun e pjesës veriore të Mitrovicës.
Por në anën tjetër, thuhet se ai është arratisur nga QKUK.
Drejtori për siguri i shërbimit korrektues për Kosovën, Sokol Zogaj, ka konfirmuar për KosovaPress, se Ismet Haxha, Sami Lushtaku dhe Sahit Jashri janë arratisur sot nga QKUK-ja rreth orës 13:30. Ai thonë se nuk kanë më asnjë informatë nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë të afërmit e familjes Lushtaku, i kanë thënë KosovaPress-it se pas pak, së bashku me avokatët do të sqarohet e gjitha ajo që po ndodhë.
Pas njoftimeve për arratisje nga QKUK-ja, ku Lushtaku po trajtohej për probleme shëndetësore, policia ka dalë në vendngjarje.
Përveç Klinikës Koronare, ku ishte i vendosur i dyshuari për krime lufte, Sami Lushtaku, policia ka nisur kontrollin edhe në klinikat e tjera.
Lushtaku dhe të tjerët nga Grupi i ashtuquajtur i Drenicës do të duhej të transferoheshin në Burgun e pjesës veriore të Mitrovicës, nëse gjykata miraton kërkesën e prokurorit.
Jozyrtarisht burime i kanë thënë Koha.net se Lushtaku është larguar qysh mbrëmë nga QKUK.
____________________________________
Lushtaku s’është arratisur nga QKUK, por refuzon të shkojë në burgun e Mitrovicës
Grupi i Drenicës i akuzuar për krime lufte, me në krye kryetarin e Komunës së Skenderajt, po refuzojnë vendimin e gjyqtarit të EULEX-it, që të transferohen në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën Veriore, i menaxhuar nga serbët.
Ndërsa, djali i Sami Lushtakut, Mërgimi ka demantuar lajmin e raportuar nëpër disa media, se babai i tij është arratisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Ai ka thënë se Samiu, është duke vazhduar të qëndrojë i shtrirë në QKUK, por do të refuzojë të transferohet në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë.
“Ajo qendër menaxhohet nga serbë, të cilët janë të kontrolluar nga Beogradi. Ne, familjarë dhe miq, të Samiut, nuk do të pranojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë ai në një prononcim për lajmi.net.
Në anën tjetër, zëdhënësi i EULEX-it, Besnik Krasniqi, ka konfirmuar vendimin e gjyqtarit të EULEX-it, se të pandehurit e rastit të ashtuquajtur “Drenica”, do të transferohen në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, gjatë kohës kur do të zhvillohen seancat dëgjimore.
“Gjyqtari ka vendosur që të pandehurit në rastin e ashtuquajtur “Drenica” të transferohen në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë për të qëndruar aty gjatë ditëve kur do të ketë seancë dëgjimore”, ka thënë Krasniqi, për lajmi.net.
“Varësisht nga orari i seancave dëgjimore, dmth më 22, 23 maj janë paraparë dy seanca dhe është paraparë gjatë kësaj kohe, ata të qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë”.