Protestojnë para Presidencës
Pas deklarimit të Presidentes Jahjaga kundër përdorimit të shamisë nëpër shkolla, disa vajza dhe gra të mbuluara protestuan para zyrës së saj në Prishtinë.
Lajme
Një grup grash dhe vajzash kosovare janë mbledhur sot para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të protestuar ndaj deklaratës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kundër përdorimit të shamisë në shkollat dhe institucionet e vendit.
“Unë i mbuloj flokët, jo trurin tim”, “Mbulesa ime. E drejta ime. Stili im. Jeta ime” ishin disa nga pankartat e përdorura në këtë protestë.
Belkize Berisha nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional, u shpreh kundër cenimeve që po i bëhen kësaj pjese të shoqërisë në shkolla e institucione që ofrojnë punë.
“Një femër e pashkolluar do të thotë një shoqëri e pashkolluar, pavarësisht sa është numri i atyre”, tha ajo.
Një pjesëtare e kësaj proteste e ka quajtur Kosovën me fat që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës.
“Kosova ka fat që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, sepse, po të ishte, dhe nëse këto raste të shkonin në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të jeni të bindur se gjykata do të vendoste në favor të këtyre vajzave dhe shteti i Kosovës do të dënohej me gjoba marramendëse”, ka thënë ajo.
Edhe Dafina Delia, nxënëse e shkollës së mesme e cila po ashtu është përjashtuar nga shkolla shkaku i mbulesës ka bërë thirrje për drejtësi.
“Ju gratë deputete a nuk jeni nëna ju? A nuk ndjeni dhimbje në shpirt për nënën time që unë dhe shoqet e mija u përjashtuan nga shkolla”.
“Pse m’i vrisni ëndrrat të bëhem një mësuese, ju lutem më lejoni të shkollohem”, tha ajo.
Qëndrimin e saj kategorik kundër bartjes së shamisë në shkolla, Presidentja Jahjaga e ka bërë të ditur në një intervistë për KTV’në, ku është shprehur decidivisht se nuk do të lejohet assesi bartja e shamive në shkollat publike.
“Kjo nuk lejohet dhe nuk do të lejohet sepse Republika e Kosovës është shtet laik”, ka thënë ajo, duke folur për shkollat publike dhe për vajzat nën moshën 18-vjeçe.
“Nuk do të lejohet bartja e shamisë”, ka insistuar Presidentja Jahjaga.