Protestohet për vrasjen e fëmiut në Fushë Kosovë
Sot do të mbahet protestë për vrasjen e fëmiut në Fushë Kosovë.

Lajme
Kjo protestë që pritet të fillojë në orën 14:00 do të nisë në lagjen “Meshari” dhe do të përfundojë para stacionit policor në Fushë Kosovë.
Lexo edhe:
Nisin hetimet ndaj policëve që neglizhuan rastin e dhunimit të 11 vjeçarit nga Fushë Kosova
Kujtojmë, se 11 vjeçari i komunitetit rom u gjet i vdekur para një jave në Fushë Kosovë.
Ai dyshohet se u dhunua e më pas u vra brutalisht nga i dyshuari 20-vjeçar që u arrestua më pas nga Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Institucioni i Policisë në këtë rast u akuzua për neglizhencë, pasi që sipas familjarëve ata e kishin paraqitur në polici edhe më herët personin që dyshohet se e kreu krimin.
Lidhur me këto pretendime, tashmë Inspektorati Policor i Kosovës veç se ka nisur hetimet.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga IPK kanë bërë të ditur se kanë nisur me grumbullimin e provave dhe informacioneve lidhur me këtë rast.
Nga Inspektorati Policor thonë se varësisht nga të gjeturat, IPK do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj.
“Inspektorati Policor i Kosovës me të pranuar informacionin lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të të miturit nga Fushë Kosova, menjëherë ka filluar grumbullimin, shqyrtimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Varësisht nga të gjeturat IPK do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Megjithatë, nga Policia e Kosovës kanë mohuar të ketë pasur neglizhencë në trajtimin e rastit.
Në një konferencë për media, nga ky institucion është thënë se viktima është dërguar në strehimore, mirëpo se i njëjti ka ikur nga aty.
Për rastin ka folur sot edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar sot 30 ditë paraburgim të dyshuarit për rastin. /Lajmi.net/