​Protestë për paga, çka po paralajmërojnë punëtorët e RTK-së?

Pas gjashtë ditësh pa paga, sot dolën për të protestuar punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) para objektit të transmetuesit publik. Sindikata e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), ka paralajmëruar se nëse nuk do të ekzekutohen pagat brenda një kohe të shkurtër, për punëtorët e RTK-së, atëherë do të hynë në greva…

Lajme

06/11/2025 12:48

Pas gjashtë ditësh pa paga, sot dolën për të protestuar punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) para objektit të transmetuesit publik.

Sindikata e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), ka paralajmëruar se nëse nuk do të ekzekutohen pagat brenda një kohe të shkurtër, për punëtorët e RTK-së, atëherë do të hynë në greva të përgjithshme e edhe protesta që mund të përshkallëzohen.

Kryetari i SPERTK, Gëzim Bimbashi u shpreh se në vend të protestojnë për përmirësimin e kushteve të punës apo rritje të pagave, punëtorët detyrohen të protestojnë për pagat që u takojnë me ligj, për të cilën fajëson Qeverinë në detyrë, Kuvendin e menaxhmetin e RTK-së.

Kryetari i SPERTK, ka një pyetje për institucionet përkatëse, se “çfarë janë duke dashur të bëjnë me RTK-në?”

“Në vend se të protestojmë për përmirësimin e kushteve të punës apo rritje të pagave, ne jemi të detyruar të dalim për pagat që i kemi fituar me djersë… Ndërkohë deputetët e Kuvendit vazhdojnë të marrin pagat e tyre rregullisht pa asnjë vonese, por për punëtorët që mbajnë gjallë transmetuesin publik askush nuk është kujtuar. Për këtë situatë përgjegjësi kanë të gjithë, Kuvendi, Qeveria dhe menaxhmenti i RTK-së… Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje, protestat tona mund edhe të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

Edhe anëtari i kryesisë së kwsaj sindikate, Fisnik Dërguti po i sheh si të pashmangshme grevat e përgjithshme.

Dërguti tha se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, është evidentuar si mangësi funksionimi i RTK-së.

“Në raportin e fundit të progresit është evidentuar si një mangësi funksionimi i RTK-së dhe në veçanti kjo sagë e buxhetit e cila po vazhdon edhe tutje, e kemi ditur fare mirë që kur kemi mbetur pa paga në tre mujorshin e parë, e kemi ditur që do të ndodhë edhe kjo ditë. Një kritikë të ashpër e adresoj kundrejt ushtruesit të detyrës të drejtorit të përgjithshëm i cili është dashur shumë më herët të adresoj një adresë të tillë dhe të vazhdohet financimi stabil dhe i vazhdueshëm i RTK-së”, tha Dërguti.

Ndërsa, anëtarja e bordit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Naile Dema, duke përkrahur kolegët medial, kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti që të alokojë pagat për punëtorët e RTK-së njësoj sikur herën e kaluar dhe në këtë mënyrë të ndërpritet presioni financiar.

“AGK është në përkrahje dhe duke u solidarizuar me kolegët tanë nga RTK. AGK ka vetëm një kërkesë sot, në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti qe t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK-së, ta bëjë njësoj si ia bëri herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni financiar që po bëhet ndaj punonjësve medial”, theksoi Dema.

Në protestë, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës, po mbanin në duar pankarta me mbishkrime të ndryshme se: “RTK është e popullit e jo e politikës”, “Pa RTK-në nuk ka zë të qytetarëve” dhe “Kërkojmë dinjitet jo mëshirë” e se “RTK nuk hesht edhe në errësirë”. Protestë të ngjashme punëtorët e RTK-së kanë mbajtur edhe në muajin gusht.