Protestë modeste kundër sistemit politik

Në sheshin Nënë Tereza të Prishtinës është mbajtur një protestë kundër sistemit politik dhe gjendjes aktuale ne vend. Por, kjo protestë nuk mblodhi edhe shumë qytetarë.

Lajme

29/11/2014 13:37

Një numër i vogël i qytetarëve, kanë protestuar në mënyrë paqësore në sheshin e Prishtinës, kundër sistemit të tanishëm politik, me moton “ Çu!, Protesto se ki arsye”.

Këta qytetarë me iniciativë të Mejdi Ramadanit, kanë dal në këtë protestë duke i ftuar të gjithë qytetarët që të iu bashkohen për të kundërshtuar shumë dukuri të këqija që Qeveria po i sjellë popullit të Kosovës.

Organizatori i kësaj proteste, Mejdi Ramdani, ka thënë se kjo protestë, nuk e ka për qëllim të kundërshtoj partitë politike, por, sipas tij, qëllimi i tyre është të kundërshtojnë sistemin e tyre politik dhe se, përmes kësaj, proteste dëshirojnë të lënë gjurmë te njerëzit se kjo është zgjidhja e vetme e vendit tonë.

“Nuk përfaqësojmë asnjë parti, asnjë lëvizje politike, domethënë shkurt e shqip jemi kundër sistemit politik.. Domethënë arsye ka plot, është korrupsioni, është sistemi i arsimit që është tmerrues, sistemi në shëndetësi, domethënë edhe njëra prej arsyeve është ikja e të rinjve që nuk po kanë shpresë me jetuar  në vendin e tyre me punuar, pra po shohin si zgjidhje ikjen nga vendi”, tha Ramdani.

“Zgjidhja e vetme mendoj që është protesta, nuk e kundërshtojmë asnjë parti, se tek e fundit ne i kemi përzgjedhë ata, e kundërshtojmë sistemin e tyre, domethënë nëse kanë korruptuar deri tash, po iu themi stop, s’ka më me korrupsion. Nëse nuk na kanë siguruar vende të reja të punës, po lypim punë e kështu me rradhë”, është shprehu Ramdani.

Mejdi Ramadani, nuk është hera e parë që po proteston, me 1 maj të këtij viti, ai ka protestuar i vetëm para Qeverisë, duke kërkuar punë.

(KosovaPress)