Protestë e qetë kundër Car Dushanit
Qytetarët shqiptarë në Shkup protestuan të qetë para përmendores së Car Dushanit. Policia nuk i lejoi protestuesit që ta mbulojnë përmendoren me pëlhurë të zezë.

Lajme
Protesta e sotme e organizuar nga shqiptarët e Maqedonisë, për të shprehur pakënaqësinë e tyre kundër vendosjes së përmendores së Car Dushanit, në qendër të Shkupit, ka kaluar e qetë dhe pa probleme.
Afrim Gashi i cili ftoi qytetarët për të dalë në këtë protestë, kishte për qëllim që sot të shprehej pakënaqësia për vendosjen e përmendores së mbretit serb, në urën “SY”
Organizatori i protestës Afrim Gashi deklaroi se qëllimi i kësaj proteste nuk ishte që të rrënohej përmendorja.
“Тhirrjen për protestën e sotme e bëra haptas dhe ja ku jam haptas para gjithë juve, ndërsa ata që ndërtojnë tinëz edhe rrënojnë tinëz”.
“Meqë ditëve të kaluara u krijua një gjendje amullie e mospranimi i autorësisë së kësaj përmendoreje, e mora këtë iniciativë thjesht personale e qytetare që, përmes kësaj, ta kuptojmë saktë dhe qartë se kush e ka vendosur këtu këtë beton të quajtur Car Dushan”.
Këtë do ta bëjmë duke e mbuluar përmendoren me pëlhurë të zezë të turpit dhe ata që do ta zbulojnë, do t’i konsiderojmë si autorë të vendosjes së përmendores”, tha Afrim Gashi.
Pasi që protestuesit nuk u lejuan nga policia që të mbulonin shtatoren, ata u shpërndanë të qetë, raporton Alsat-M.
Një grup prej rreth 30 shqiptarëve ishin mbledhur mbrëmë në Shkup në përpjekje që ta rrëzojnë këtë përmendore të mbretit serb në qendër të qytetit.
Ata e kishin goditur përmendoren me gjësende të forta dhe me çekiç. Shtatorja vetëm kishte pësuar dëmtime por nuk është rrënuar.