Protesta si kjo sot, s’i kufizojnë fuqinë por e bëjnë të plotfuqishëm Thaçin!?
(Për domosdoshmërinë që opozita dhe shoqëria civile të prijnë me alternativa politike, për ta rrëzuar Thaçin nga pushteti, ose për t’ja kufizuar fuqinë vendimmarrëse. Nëse vërtetë është ky qëllimi?)
Lajme
Protesta e sotme ishte paradoksale. Të protestohet për mbrojtjen e Republikës, ndaj së cilës është protestuar e kundërshtuar ashpër në shkurtin e 2007-ës, ku dhe vetë isha njëri ndër protestuesit. Republikë, të cilën VV-ja e ka identifikuar me Thaçin, e sot ka protestuar ta mbrojë po nga Thaçi. Vërtet është mungesë e vizionit politik, ose dhe më keq, në interpretimin tim politik do të thotë dhjetë vjetë mbrapa ideve dhe vizionit të Thaçit.
Protestat kundër dialogut në Vjenë, kundër planit Ahtisaari, kundër demarkacionit me Malin e Zi, tashmë edhe kundër dialogut përmbyllës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, gjithnjë vetëm sa e kanë sforcuar edhe më tej pozicionin e Hashim Thaçit. Përgjatë gjithë këtij procesi më shumë se dhjetë vjeçar, Ai ka dalë fitues. Të tjerët jemi vetëm protestues dhe konsumues të realitetit të krijuar nga Ai.
Rrjedhimisht, ky vend ka pasur dhe ka nevojë për protesta për ta rrëzuar, apo për të ja zvogëluar fuqinë vendimmarrëse Hashim Thaçit, porse në asnjë mënyrë për ta forcuar atë. Prej këndit tim, me vite të tëra qëllimshëm ose jo, sikurse dhe sot, është përzgjedhur kauzë edhe strategji e gabuar për atë dhe efekti është fuqizimi i pushtetit të Hashim Thaçit. Ai, ka ecur në planifikimet e tija duke e lënë opozitën dhe shoqërinë civile prapa, të cilat duke e shndërruar Atë në target, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të ofruar ndonjë strategji, apo vizion për të ja hequr ose zvogëluar fuqinë e pushtetit nga dora.
Ai asnjëherë nuk është marrë me idetë dhe vizionin politik tonin, ngase asnjëherë nuk kemi vepruar përpara tij. Asnjëherë nuk kemi arrit ta detyrojmë që ai të merret me çështjet që kemi ngritë ne. Por, vazhdimisht Ne jemi marrë me politikat, vizionin dhe vendimet që ka marrë ai.
Asnjëherë, asnjë protestë e asnjë kauzë nuk ka filluar e as që ka mbaruar me bashkim opozitar kundrejt keqqeverisjes, korrupsionit apo kapjes së shtetit, të cilin pretendohet ta ketë bërë Hashim Thaçi. Në relacion me politikën e jashtme, dialogun me Serbinë dhe përmbylljen e statusit të Kosovës, është pothuajse e pamundur të mundet, vetëm duke kundërshtuar idetë e tija, e pa prezantuar asnjë alternativë.
Prandaj, energjia e opozitës dhe e shoqërisë civile duhet përqendruar në prodhimin e ideve të reja për dalje nga kjo bllokadë dhe ku ato janë prijëse, teksa Hashim Thaçi të detyrohet të jetë pasues i tyre. Ky inverzion politik duhet të ndodh sa më shpejtë, ndryshe opozita dhe SHC-ja do të vazhdojnë ta bëjnë jetën e tyre në nivel të interpretuesve të ideve politike të Hashimit të Thaçit, porse jo të prodhimit të ideve dhe vendimmarrjes politike! Për më keq, sikurse sot do të protestojmë dhe pas dhjetë vite në mbrojtje të asaj që tani do ta bëjë zgjidhje të obligueshme Thaçi.