Protesta për ish-krerët e UÇK në Tiranë, Spiropali: Të çojmë zërin në Hagë kundër padrejtësisë që prek të gjithë shqiptarët

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me protestën që do të mbahet më 17 tetor ora 17:00 në sheshin “Skënderbej” Tiranë për ish-krerët e UÇK. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali kritikon Gjykatën Speciale, e cila po kërkon të përmbysë historinë dhe të përdhosë sakrificën e çlirimtarëve…

Lajme

15/10/2025 14:39

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me protestën që do të mbahet më 17 tetor ora 17:00 në sheshin “Skënderbej” Tiranë për ish-krerët e UÇK.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali kritikon Gjykatën Speciale, e cila po kërkon të përmbysë historinë dhe të përdhosë sakrificën e çlirimtarëve të Kosovës, përmes padrejtësive proceduriale dhe paraburgimit të zgjatur pa gjyq. Spiropali thekson gjithashtu angazhimin e madh të Shqipërisë kundër kësaj padrejtësie që po bëhet.

Reagimi i plotë:

Në këtë shekull të shqiptarëve, liria nuk mund të jetë e plotë me pranga në duart e çlirimtarëve. Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në qeli, ndërgjegjja kombëtare nuk mund të jetë e qetë dhe padrejtësia do të ketë ende hise në hakun e shqiptarit.

Alkimia djallëzore e shndërrimit të heronjve të djeshëm të moralit dhe aleatëve euroatlantikë, në vrasës, e kthimit përmbys me truke e trike juridike e të vërtetave historike, shpërblimi i agresorit të djeshëm me rivrasjen e viktimës është më shumë se kriminale. Ajo duhet të marrë fund ashtu siç nisi, menjëherë dhe pa kushte.

Në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë e kudo ku rreh zemra e shqiptarit, ne jemi bashkë në një thirrje e një besim: Liria ka emër!

Liria ka emrin e çlirimtarëve të djeshëm dhe luftëtarëve të sotëm, që ndeshen për shumë më shumë se lirinë personale.

Po ndeshen për të vërtetën, kujtesën historike dhe të drejtën e një populli që nuk ka marrë shpagim e as nuk kërkon hakmarrje, por do, lutet e kërkon të marrë e do të marrë, vetëm drejtësi.⚖️

Në 17 tetor zemra e shqiptarëve anë e mbanë botës, kudo ku i ka çuar fati e kudo po ndërtojnë fatin e tyre, do të rrahë në sheshin Skënderbej.

Nën hijen e Heroit Kombëtar, ne do të protestojmë kundër padrejtësisë që prek të gjithë shqiptarët, çojmë zërin tonë në Hagë duke kërkuar kthimin në liri të çlirimtarëve.

Ajo që lindi si gjykatë speciale e parimeve të së drejtës nuk mund të jetë pafundësisht sinonim i padrejtësisë e turp i drejtësisë ndërkombëtare, që kërkon të përmbysë historinë, të relativizojë të vërtetën, të përdhosë sakrificën përmes padrejtësive proceduriale, paraburgimit të zgjatur pa gjyq.

E mbi të gjitha kur sot, ka vetëm një grusht akuzash të pabaza, të pafaktuara, pjellë e një raporti të diskretituar tanimë si prodhim fantazie nga hetimet serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shqipëria🇦🇱 do të vazhdojë të jetë një zë i fortë dhe i pandashëm në përkrahje të Republikës së Kosovës🇽🇰, por edhe në denoncimin e kësaj padrejtësie, deri në kthimin në shtëpi të luftëtarëve.