Protesta në anën serbe të Merdares, bllokohet rruga me kamionë

Protestuesit serbë e kanë bllokuar pjesën serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare mëngjesin e së shtunës.

Lajme

04/12/2021 14:32

Protestuesit serbë e kanë bllokuar pjesën serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare me kamionë mëngjesin e së shtunës, për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Sipas mediave serbe, kjo ka ndodhur për shkak të miratimit të ligjit për referendum dhe shpronësim  në Serbi, por edhe për shkak të politikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës dhe Metohisë, si dhe zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, përcjell lajmi.net.

“Shqiptarët po ndërtojnë të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe dhe qeveria jonë hesht, ka një javë që janë hequr pikat kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa kufiri i vërtetë është ndërtuar në vendkalimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qendrore”, deklaroi kryesuesi i protestës, Nemanja Saroviq.

Saroviq është kryesues i lëvizjes politike “Dashuri, Besim dhe Shpresë” në Serbi dhe besohet se anëtarët e kësaj të fundit ishin organizuesit e kësaj proteste.

Ai shtoi se qytetarët në Merdare kanë bllokuar qarkullimin në të dy drejtimet dhe se protestat do të zgjasin derisa Vuçiq të largohet nga pushteti.

Qytetarët e mbledhur në vendkalimin e Merdaresë mbanin pankarta ku shkruhej “Shengeni i vogël = Shqipëria e Madhe”.

Protesta është përcjellë edhe me këngë nacionaliste serbe. /Lajmi.net/