​Protesta e mësimdhënësve, këto janë kërkesat

Me pankarta “Ministre reflekto, fillo dialogun”, “Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive”, “Duam rritje dinjitoze të pagave”, “Mos na mohoni kontributin e viteve ‘90”, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), kanë protestuar të mërkurën në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë. Me kërkesat për rritje të pagave e nënshkrim të kontratës kolektive, qindra…

Lajme

04/12/2024 16:06

Me pankarta “Ministre reflekto, fillo dialogun”, “Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive”, “Duam rritje dinjitoze të pagave”, “Mos na mohoni kontributin e viteve ‘90”, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), kanë protestuar të mërkurën në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë.

Me kërkesat për rritje të pagave e nënshkrim të kontratës kolektive, qindra punëtorë të arsimit kërkuan zbatimin e tyre.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se Qeveria Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ‘kanë vazhduar me qasje të gabuar dhe me qëndrimin deri armiqësor ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave’.

“Qeveria Kurti dhe në këtë rast ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasje të gabuar dhe me qëndrimin deri armiqësor ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave….Ministrja Nagavci as edhe një herë nuk u bë zë i të punësuarve në arsim dhe as edhe një herë nuk foli në Qeveri e nuk kërkojë të debatohej për kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit. Ajo u mundua ta mohojë e zhvleftësojë një anshëm Kontratën Kolektive të Arsimit dhe atëherë deklaronte se do të bisedohet për Kontratën e re, por shihet se e ka pasur vetëm si deklaratë…Nga më të dalluarit në luftën e humbur kundër SBAShK-ut dhe punëtorëve arsimor është ministri Murati, i cili dikur na u kërcënua edhe me dalje të pagës. Ai me rritjen ironike të pagës prej 28 euro dëshiron që punëtorët e arsimit t’i vë në situatë që të luftojnë për të siguruar pak bukë dhe të ndjehen të varfër e të heshtin, por punëtorët e arsimit janë plot dinjitet dhe janë krenar se kanë kryer e po kryejnë misionin e shenjtë për arsimimin dhe edukimin e brezave”, tha Jasharaj.

Ndërsa, Jasharaj tha po ashtu se kryeministri Kurti ka dështuar të përmbush premtimet e tij i cili ka bërë para se të vinte në pushtet lidhur me zërin e sindikatave, siç tha ai, ‘Kurti e ka bërë të kundërte, nuk ka dëgjuar zërin e sindikatave’.

“Kurti para se të vinte në pushtet premtonte se do të komunikojë me sindikata, do të dëgjojë zërin e tyre dhe do të ndihmojë në forcimin e sindikatave, por e bëri të kundërtën. As edhe njëherë nuk dëgjoi zërin e sindikatave dhe madje u mundua t’i shuaj ato sepse po ngitnin zërin duke kërkuar arsyeshëm realizimin e kërkesave të arsyeshme të anëtarësisë”, ka shtuar Jasharaj.

Protesta ka filluar para Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, ndërsa ka vazhduar drejt Ministrisë së Arsimit në të cilën kërkuan takim me ministren Nagavci e që nuk u realizua dhe në fund protestuan para qeverisë.

Në këtë protestë morën pjesë kryetarët e shoqatave sindikale nga çerdhet, shkollat dhe universitetet.