Propozohet ulje e TVSH-së për energjinë elektrike

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ndaj paralajmërimit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se një masë e tillë do të reflektojë negativisht në ekonominë e Kosovës. Nisur nga kjo OEK ka propozuar uljen e TVSH-së për energjinë elektrike, si alternativë për lehtësimin e shpenzimeve të larta të jetesës.

Lajme

19/08/2014 17:57

OEK ka vlerësuar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike mund të ndikojë dhe të rëndojë aspektin social në vendin tonë, i cili edhe ashtu është i rënduar.

“Ne konsiderojmë që një situatë e tillë do të rëndojë akoma më shumë gjendjen e bizneseve, veçanërisht të kompanive prodhuese, ku shpenzimet dhe kostoja për realizim të aktiviteteve të tyre biznesore do të rriten në vlera enorme dhe ekzistimi i tyre do të vihej në pikëpyetje. Shqetësime vijnë edhe nga kompanitë eksportuese, të cilat janë tej mase të shqetësuara për paralajmërimet e fundit, duke parashikuar ditë të këqija për eksportet tona, shkaku i humbjes së aftësive konkurruese dhe mundësisë që të jenë konkurrent në tregjet e huaja. Një rritje e tillë e çmimit të energjisë duke ulur aftësinë konkurruese për eksporte, na shtyn drejt një situate tjetër, ku importet do të rriten dhe bashkë me to edhe varshmëria e Kosovës nga importi”, thuhet në një komunikatë të OEK.

Ata kanë propozuar që çdo ngritje e mundshme e çmimeve duhet të amortizohej përmes një mase fiskale nga qeveria, siç do të ishte ulja e TVSH-së, masë kjo që do të ulte sadopak ngarkesën e madhe në çmim të energjisë elektrike.

“Andaj, ne i bëjmë apel qeverisë së vendit që në rast të shtrenjtimit të energjisë elektrike, bizneset tona do të duhej të mbështetshin përmes stimujve fiskal”, thuhet në komunikatën e OEK.