Propozohet të dëgjohen gazetarët e larguar nga puna në RTK, deputetët e LVV-së: S’jemi inspektorat i punës

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ariana Musliu-Shoshi, ka propozuar mbajtjen e një dëgjimi publik në mars për punëtorët së fundmi të larguar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Musliu-Shoshi tha se synohet të ftohen tri punëtoret e larguara si dhe anëtarët e Bordit të RTK-së për të…

Lajme

24/02/2026 13:41

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ariana Musliu-Shoshi, ka propozuar mbajtjen e një dëgjimi publik në mars për punëtorët së fundmi të larguar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Musliu-Shoshi tha se synohet të ftohen tri punëtoret e larguara si dhe anëtarët e Bordit të RTK-së për të sqaruar situatën. Deputetja nga PDK, Ganimete Musliu, mbështeti këtë propozim, duke kërkuar caktimin e një date konkrete për seancën.

Megjithatë, deputeti i LVV, Fitim Haziri, shprehu rezerva, duke thënë se Komisioni nuk mund të thërrasë drejtorët pa vendimin e Bordit të RTK-së dhe pa u shqyrtuar më parë nga Inspektorati i Punës. Ai theksoi se roli i Komisionit nuk është të zëvendësojë këtë institucion dhe se duhet pritur vendimi i tij.

Në përgjigje, Musliu-Shoshi deklaroi se nuk ka asnjë ligj ose rregullore që e pengon Komisionin të mbajë seanca dëgjimore dhe se kërkesat e punëtorëve duhet trajtuar. Deputetja nga AA, Time Kadrija, shtoi se Komisioni duhet të mbikëqyrë çdo institucion që i takon kompetencës së tij, duke vepruar brenda bazës ligjore.

Debati tregon tensionin midis nevojës për transparencë dhe respektimit të procedurave ligjore për rastet e largimeve nga puna në RTK. /Lajmi.net/