Propozimi për shtrenjtim të rrymës, qeveria akoma s’ka dërguar komentet në ZRRE

Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se ka pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë Instituti për Politika Zhvillimore(INDEP), KOSTT, KEDS dhe KESCO.

Lajme

28/01/2022 16:56

“ZRRE gjatë procesit të konsultimit publik, në kuadër të Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interesit, si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO”, bëri të ditur ZRRE-ja nëpërmjet një njoftimi në ‘Facebook’.

Kjo zyrë ka bërë të ditur se është duke pranuar komente edhe nga konsumatorët dhe të njëjta do t’i publikojë gjatë ditëve në vijim.

Megjithatë, Qeveria nuk ka dërguar komente në adresë të ZRRE-së, për çka kryeministri Albin Kurti ka thënë se do ta bëjë një gjë të tillë ditëve në vijim.

ZRrE më 17 janar ka publikuar raportin konsultativ të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Palët e interesit kanë afat deri të hënën më 31 janar 2022 që t’i dërgojnë ato. /Lajmi.net/