Propozimi për qeveri tranzicionale, Abdixhiku: Për herë të parë në historinë shtetare, përfaqësuesit e komuniteteve mbajnë anë partiake

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dje publikisht deklaroi se u ka dërguar ftesë për t’u takuar krerëve të partive politike shqiptare në vend. Disa herë radhazi në konferencë për media ai tha se duhet mbledhur partitë shqiptare në mënyrë që të krijohet një qeveri nacionale e tranzicionit. E pas kësaj, reagime të…

Lajme

07/05/2025 12:01

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dje publikisht deklaroi se u ka dërguar ftesë për t’u takuar krerëve të partive politike shqiptare në vend.

Disa herë radhazi në konferencë për media ai tha se duhet mbledhur partitë shqiptare në mënyrë që të krijohet një qeveri nacionale e tranzicionit.

E pas kësaj, reagime të shumta pati për shkak të mos-përfshirjes së komuniteteve në këtë ftesë për diskutim.

Po ashtu një reagim të hapur e patën sot edhe deputeti Elber Krasniqi dhe zv.kryeministrja në detyrë njëherësh deputete e betuar, Emilja Rexhepi.

E në kuadër të kësaj ka reaguar Abdixhiku i cili tha se është për keqardhje keqpërdorimi që po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin e tij.

“Keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit. Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare.Të painteresuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste”,deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, ky qëndrim, kopjim i dëmshëm i urrejtjes së panevojshme, është instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare.

“Mbi të gjitha, të jesh shqiptar nuk është krim. Të kërkosh bashkim ndër-shqiptar nuk është krim. Të kërkosh unitet politik brenda shqiptarëve nuk është krim. Bashkëpunimi politik ndërshqiptar është mision politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga viti 1989 e deri më sot”, shtoi ai.

Abdixhiku tha po ashtu se prej 17 vitesh dakordimi në mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare.

“Ç’është e vërteta, në 17 vite shtet, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare; përfshirje e garantuar me Kushtetutë. Me Kushtetutën e hartuar nga LDK. Gjersa fatkeqësisht, për herë të parë në historinë shtetare, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbajnë anë partiake. Jo vetëm anë, por renditen në vargun e gjatë të akuzave kundër një partie shqiptare, madje në këtë legjislacion, dhe ndaj vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare të përfaqësuar me 52 deputetë.Një qasje e tillë është e dëmshme dhe për komunitetet jo shumicë, dhe për demokracinë parlamentare”,theksoi Abdixhiku.

Sipas tij për të gjithë me interes, duhet publikuar dhe një herë një pjesë të letrës së dërguar dje.

“Sidomos për bashkëqytetarët tanë të nderuar nga komunitetet jo shumicë ja dhe teksti i plotë i letrës, që fatkeqësisht refuzohet të lexohet qëllimisht nga përfaqësuesit e juaj parlamentar:
Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”/Lajmi.net/