Propozimi i Kryeziut për dalje nga bllokada politike: Vetëshpërndarje e Kuvendit dhe zgjedhje të reja
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka dalë me një propozim për dalje nga bllokada politike që ka përfshirë legjislaturën e re, e cila doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Sipas tij, pavarësisht nëse partitë arrijnë marrëveshje dhe konsensus, është tashmë vonë për ta rikthyer besimin e humbur tek kjo legjislaturë. Ai thekson se…

Lajme
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka dalë me një propozim për dalje nga bllokada politike që ka përfshirë legjislaturën e re, e cila doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Sipas tij, pavarësisht nëse partitë arrijnë marrëveshje dhe konsensus, është tashmë vonë për ta rikthyer besimin e humbur tek kjo legjislaturë.
Ai thekson se mandati i fituar më 9 shkurt duhet t’i kthehet popullit, në mënyrë që qytetarët të vendosin se kë duhet të shpërblejnë dhe kë të ndëshkojnë për bllokimin e krijuar në Kuvend.
Kryeziu ka kritikuar qasjen e partive politike, të cilat sipas tij po kalkulojnë me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke shpresuar në vendime eventuale të Gjykatës Kushtetuese.
Në vend të kësaj, ai propozon një plan me dy pika:
Votim i përbashkët për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, për ta përmbyllur procesin e konstituimit.
Thirrje e një seance të jashtëzakonshme, ku deputetët do të votonin për vetëshpërndarjen e Kuvendit, në përputhje me nenin 82 të Kushtetutës. Pas këtij hapi, Presidentja do ta dekretonte shpërndarjen dhe do të shpallte zgjedhjet e parakohshme.
“Çdo zgjidhje tjetër është si ai gatimi shto miell e shto ujë, që rrezikon të dekurajojë qytetarët nga pjesëmarrja në votimet e ardhshme”, ka theksuar Kryeziu.