Propagandë qesharake e Gjuriqit në OKB – pretendon se serbët në Kosovë po përballen me betejë humane për mbijetesë
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili po diskuton për raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po udhëheq politika që synojnë dëbimin e serbëve nga…

Lajme
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili po diskuton për raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po udhëheq politika që synojnë dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmtojnë, siç tha ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që u arrit gjatë mandatit të parë”.
Siç pretendoi Gjuriç, komuniteti serb po përballet me “gërryerje sistematike” dhe një “betejë humane për mbijetesë”.
Ai akuzoi autoritetet kosovare për arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe sfidim të parimeve themelore të OKB-së.
Kryediplomati serb denoncoi sulmet me motive etnike, duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjestruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit.
Gjuriç akuzoi gjithashtu Kurtin për “militarizim të Kosovës” dhe për blerjen e dronëve kamikazë, duke theksuar se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”.
Ministri serb ndër të tjera pretendoi se rreth 20 për qind e serbëve kanë lënë Kosovën në një “eksod të heshtur”, ndërsa vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar.
Megjithatë, ai vlerësoi se fryma serbe mbetet e pathyeshme, duke u mbështetur në fitoren e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale.
Gjuriç në OKB i bëri thirrje Kosovës të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kujtuar se kjo nuk është kërkesë e Serbisë, por zotim i vetë Kosovës.
“Kurti po saboton këtë proces dhe po dëmton marrëveshjet dhe trashëgiminë e paqes të presidentit Trump. Serbia nuk është pengesë – ne jemi pjesë e zgjidhjes”, tha Gjuriç.
Ai përfundoi duke kërkuar nga Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare që të “dënojnë shkeljet e të drejtave të serbëve” dhe të garantojnë “paqen dhe bashkëjetesën e vërtetë në Kosovë”.