Prokurorja që liroi me marrëveshje adminin e Albkingsit përdori gjuhë akuzuese ndaj kolegëve të saj, reagojnë Prokuroria e Apelit
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Elza Bajrami, përdori një gjuhë akuzuese në drejtim të kolegëve të saj të Apelit, ku pretendoi se me tendencë ia kontrolluan vendimet e saj, me qëllim që t’ia pamundësonin që të ishte anëtarë në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Lidhur me këtë ka reaguar sistemi prokurorial, duke e quajtur…
Lajme
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Elza Bajrami, përdori një gjuhë akuzuese në drejtim të kolegëve të saj të Apelit, ku pretendoi se me tendencë ia kontrolluan vendimet e saj, me qëllim që t’ia pamundësonin që të ishte anëtarë në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Lidhur me këtë ka reaguar sistemi prokurorial, duke e quajtur si të papërshtatshme gjuhën e përdorur në emisionin e mediumit Betimi për Drejtësi.
“Prokuroria e Apelit, vlerëson se deklarimet e prokurores Bajrami, ku aludohet se Prokuroria e Apelit, “me tendencë ka kontrolluar vendimet e saj me qëllim që t’ia njollosë punën dhe profesionalizmin, për të pamundësuar kandidimin e saj si antare në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, janë jo vetëm të pavërteta, por përbëjnë tentim për të krijuar perceptim të rremë publik mbi punën profesionale dhe të pavarur të prokurorëve të Prokurorisë së Apelit”, ka thënë ndër të tjera.
“Po ashtu, përdorimi i një gjuhe të papërshtatshme, ndaj kolegëve gjegjësishtë prokurorëve të Prokurorisë së shkallë e dytë, përbën sjellje të papranueshme për një prokurore të shtetit. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë e Apelit në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial dhe ulë besimin e publikut”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kush është Elza Bajrami?
Njëherë e vlerësuar si prokurorja që doli në mbrojtje të grave të abuzuara nga grupi famëkeq “Albkings”, Elza Bajrami-Kastrati u kthye në qendër të vëmendjes për tjetër arsye. Pas futjes së disa prej anëtarëve të grupit prapa grilave, Bajrami i nxorri ata nga burgu. Me urdhër të saj, gjykata vendosi të lirojë administratorin e grupit, Edin Nevzadi, pas shtatë muajsh prapa hekurave si shkak i marrëveshjes së fajësisë me prokurorinë.
Edin Nevzadi pas vendimit të pranimit të fajësisë për veprën për të cilën ngarkohet ishte ikur nga territori i Kosovës dhe u bë i pa arritshëm për organet e drejtësisë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati reaguar ashpër lidhur me marrëveshjen e arritur në rastin e grupit famëkeq “AlbKings”, duke e cilësuar atë si një akt që përforcon pandëshkueshmërinë për dhunuesit dhe poshtëron viktimat.
“Nuk është hera e parë që drejtësia në Kosovë tregon fytyrën e saj patriarkale dhe të pandjeshme ndaj krimeve me bazë gjinore”, kishte shkruar Haxhiu.
Grupi famëkeq “AlbKings” ishte një mekanizëm i organizuar i dhunës digjitale dhe seksuale, i cili për vite me radhë ka shkatërruar jetën e shumë vajzave dhe grave në Kosovë.
“Me qindra imazhe të publikuara pa pëlqim, me përndjekje, kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ky grup ka lënë pas vetes trauma të thella, pasoja psikologjike, sociale dhe personale për viktimat. I bashkohem thirrjes së organizatave të shoqërisë civile që kjo marrëveshje të refuzohet dhe të shqiptohen dënimet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thoshte më tej Haxhiu.