Prokurorja: Lutfi Dervishi bashkë me një grup kriminal menaxhuan rastin ‘Medicus’

Në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishit, i cili akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar si dhe Sokol Hajdinit, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën përfundimtare.

Lajme

02/05/2018 19:59

Gjatë kësaj seance fjalën përfundimtare e kanë dhënë prokurorja e çështjes, Valeria Bolici, dhe përfaqësuesit e viktimave Saranda Keqekolla e Bekim Dugolli.

Prokurorja e çështjes në fjalën përfundimtare kishte përgatitur një përmbledhje të tërë shqyrtimit gjyqësor duke iu referuar dëshmisë së dëshmitarëve dhe provave të administruara.

Duke iu referuar këtyre dëshmive, ajo tha se dëshmitarët kishin deklaruar se kanë paguar shuma deri në 70 mijë euro për një veshkë dhe se transplantimi është kryer në klinikën “Medicus”.

Sipas prokurores, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të të gjitha provave pa asnjë mëdyshje është arritur të vërtetohet se Lutfi Dervishi e ka realizuar planin e tij për transplantim të veshkës në klinikën “Medicus”, ndonëse i njëjti ka kërkuar autorizime nga Ministria por që kanë rezultuar pa sukses. “Ai megjithatë e ka realizuar projektin e tij”, tha prokurorja.

Nga provat e shqyrtuara prokurorja tha se vërtetohet se i tërë organizimi i kryerjes së transplantimit të veshkës ishte i vendosur me bashkëpunimin dhe vullnetin e plotë të dr. Dervishit, pasi që ai e ka ditur se kur do të kryheshin transplantimet e veshkës dhe në cilin pacient prandaj ai ka ndihmuar përmes djalit të tij Arban Dervishit, i cili ka lëshuar letra të garancisë dhe ftesa për pacientët ndërkombëtarë.

Ajo tha se Dervishi është siguruar se stafi i klinikës është në dispozicion për transplantimin e veshkës dhe drejtpërdrejt ka marrë pjesë në operacionin për transplantimin e veshkës.

Po ashtu, sipas saj, në më shumë se një rast ka siguruar që klinika “Medicus” të ofrojë raporte mjekësore për pacientët duke i vërtetuar operacionet që janë kryer dhe ka lëshuar fatura të pagesës për pagesat që i ka pranuar klinika përmes djalit të tij Arbanit, i cili ka ndihmuar në transportin e pacientëve nga Aeroporti i Prishtinës në klinikë të marrësve/dhënësve të veshkës dhe familjarëve të tyre e gjithashtu ndërmjetësve si Moshe Harrel.

Prandaj, sipas Prokurorisë, Lutfi Dervishi është përgjegjës për trafikimin e qenieve njerëzore.

Duke u kujdesur për aspektet administrative të pacientëve, Prokuroria pretendon se Lutfi Dervishi ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm te bashkëkryerësit tjerë në këtë krim në rrethana specifike Yusuf Sonmez dhe Moshe Harrel duke e mundësuar transferin e lehtë të pacientëve nga jashtë në klinikën e tij.

Për më tepër ajo shtoi se numri i konsiderueshëm i dhënësve dhe pranuesve të veshkës e kanë identifikuar Arban Dervishin si person që fizikisht i ka transportuar dhënësit dhe marrësit e veshkës nga Aeroporti i Prishtinës në klinikë e anasjelltas.

Sa i përket mjeteve të veçanta prokurorja tha se të gjithë dhënësit e veshkës që janë dëgjuar në gjykim i janë nënshtruar keqpërdorimit si rezultat i cenueshmërisë së tyre, pasi që janë mashtruar, vënë në lajthitje për faktin se të gjithë dhënësit e veshkave kanë qenë të huaj nga vende të varfra dhe kanë qenë duke kaluar në vështirësi të mëdha financiare prandaj kanë qenë lehtë të prekshëm ndaj rekrutimit për shkak të gjendjes së tyre.

Prokuroria më tej pretendon se atyre asnjëherë nuk i është dhënë asnjë sqarim sa i përket rrezikut me të cilin ata përballën gjatë transplantimit të veshkës, pasi u është thënë se është një operacion i lehtë dhe nuk ka efekte të padëshiruara.

Më pas atyre u është thënë ta nënshkruajnë një dokument duke thënë se po e japin veshkën për qëllime altruiste apo se marrësi ka qenë i afërm i tyre por që sipas Prokurorisë në të gjitha rastet kjo ka qenë e pavërtetë pasi që asnjëherë nuk është krijuar një komision etik në klinikën “Medicus”, dhe dokumentet u janë dorëzuar vetëm për ta krijuar pamjen e legjitimitetit për këto transplantime të jashtëligjshme.

Madje prokurorja tha se disa prej tyre kanë pasur dyshime para se t’i nënshtroheshin ndërhyrjes por nuk i është dhënë hapësirë ta ndryshojnë mendjen.

Ndërsa sa i përket pagesës tha se shumicës prej dhuruesve nuk u është paguar shuma e plotë ashtu siç u është premtuar, ku së paku njërit prej dhuruesve nuk i janë paguar fare të hollat që i ishin premtuar.

Bolici tha se përgjegjësia penale e Lutfi Dervishit qëndron në atë se ai deri në vitin 2008 e kishte organizuar klinikën “Medicus”, si një hapësirë shumë të sofistikuar dhe shumë mirë të furnizuar ku do të kryheshin transplantimet e veshkave në mënyrë të jashtëligjshme, me ç’rast ai ka mbikëqyrur, menaxhuar veprimtarinë në klinikë në ndërlidhje me një grup ndërkombëtar të krimit të organizuar, i cili ka operuar gjatë vitit 2008 për disa muaj në Kosovë, dhe se ka qenë i përbërë prej një numri të caktuar njerëzish duke përfshirë Lutfi Dervishin, Arban Dervishin, Yusuf Sonmez, Kenan Demirkol, Moshe Harel dhe të tjerë.

Tutje ajo tha se secili pjesëtar i grupit ka pasur qëllimin e dobisë pasurore që do të thotë pranimin apo marrjen e shumave të larta të parave.

Prokuroria pretendon se duke udhëhequr klinikën ku kryheshin transplantimet e veshkave, Lutfi Dervishi ka qenë krejtësisht në dijeni për kontributin që po i ofronte kësaj organizate kriminale që ishte krijuar në bazë të iniciativës së tij dhe përkushtimit të tij konkret, dhe se nuk ka asnjë pikë dyshimi se ai e ka bërë këtë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Lidhur me përgjegjësinë penale të Sokol Hajdinit, Prokuroria pretendon se përgjegjësia penale e tij është e bazuar në bazë të dëshmive të dhëna nga dhuruesit e pranuesit e veshkave.

Sipas Prokurorisë, Sokol Hajdini në cilësinë e tij si kryeanesteziolog ka kontribuar në të gjitha ndërhyrjet për heqjen dhe pastaj vendosjen e të gjitha këtyre veshkave që janë kryer nga ekipi i mjekëve të klinikës “Medicus”.

Prokurorja thekson se heqja e veshkave është kryer në shtatë viktima, të cilëve u janë shkaktuar lëndime të rënda duke iu dëmtuar dhe dobësuar në mënyrë të përhershme organet apo një pjesë të trupit.

Bolici tha se Sokol Hajdini ka qenë i vetëdijshëm që ai po ndihmon në heqjen e veshkës të dhuruesve të gjallë dhe ka qenë në dijeni për natyrën e operacionit pasi anesteziologët kanë qenë të informuar paraprakisht, dhe se ai ka qenë pjesëmarrës i heqjes dhe transplantimit të veshkës duke qenë në dijeni se ato transplantime po kryheshin në mënyrë ta paligjshme.

Në fund prokurorja i kërkoi Gjykatës që të konfirmojë përgjegjësinë penale të Dervishit dhe ta dënojë atë brenda kufijve të dënimit, kurse sa i përket parimit të përbashkët ta dënojë atë sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, kurse për Sokol Hajdinin, prokurorja kërkoi nga Gjykata që të konfirmojë pikat e akuzës  lidhur me veprën penale sipas aktakuzës dhe të dënohet brenda kufijve të dënimit të paraparë si dënim plotësues që atij i ishte shqiptuar me aktvendimin e Gjykatës Supremes.