Prokurorit Williamson do t’i kërkohet raport për akuzat e Dick Martyt

Kur në mes të korrikut të qëndrojë në Prishtinë, kryeprokurorit amerikan, Clint Williamson, që po i kryen hetimet për raportin e Dick Martyt, do t`i bëhet një kërkesë specifike. Atij do t'i kërkohet raport i detajuar mbi raportin e Martyt.

Lajme

26/06/2014 10:30

Raport i detajuar mbi hetimet po shihet si rruga e vetme që do t’i zbardhte të gjitha dyshimet e ngritura në raportin e ish-senatorit zviceran, raport që ka akuza të rënda dhe që dyshohet se e ka rrënuar imazhin e Kosovës, të shqiptarëve dhe të luftës së UÇK-së, shkruan “Tribuna”.

Në kërkesën për raport mbi raportin e Martyt, institucionet e Kosovës nuk janë vetëm.

Edhe shtetet mbështetëse të SIFT-it dhe mbështetëset e pavarësisë së Kosovës duan që Williamson të tregojë detajet e hetimeve, në mënyrë që pos akuzave që do të ngrihen dhe do të përballen me Gjykatën Speciale, dyshimet e tjera të mëdha si trafikimi i organeve, ai i armëve, i drogës dhe të tjera të sqarohet nëse kanë qenë të bazuara apo jo.