Prokuroria synon t’i thërras tre dëshmitarë në rastin Thaçi, Smakaj, Kuçi e të tjerët

Prokurori Joshua Hafetz tha se synojnë që të thërrasin tre dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. “Është e vërtetë që ne synojmë të thërrasim tre dëshmitarë të paktën, duke përfshirë atë që është i përmendur me emër apo mbi të cilin është dokumentacioni mbështetës i…

Lajme

17/12/2024 17:10

Prokurori Joshua Hafetz tha se synojnë që të thërrasin tre dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

“Është e vërtetë që ne synojmë të thërrasim tre dëshmitarë të paktën, duke përfshirë atë që është i përmendur me emër apo mbi të cilin është dokumentacioni mbështetës i aktakuzës”, tha prokurori Hafetz, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duke folur për nxjerrjen e materialeve dhe informacioneve lidhur me gjërat e konfiskuara nga të akuzuarit, prokurori Hafetz tha se posedojnë telefonin e Kilajt dhe atë të Fazliut.

Gjatë parashtrimeve të tyre, mbrojtësi Smakajt, avokati Bes Martenes, tha se kanë një dokument që jep informacion sa i takon provave. Megjithatë, ai thotë se çdo gjë që ka të bëjë me klientin e tij është i redaktuar dhe i nxjerrë, e në veçanti lidhur me dokumentet që janë sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij.

Martenes si shembull theksoi se informacioni për të dhënat telefonike është shumë i kufizuar.

“Mbrojtja aktualisht nuk mund të bëjë asnjë hetim dhe nuk mund të bëjë asgjë sa u takon rezervave dhe qasjeve të mbrojtjes në mënyrë të tillë që ajo mund të vazhdojë me hetimet e veta. Po e rezervojmë të drejtën për të marrë hapa kur të jetë e përshtatshme”, tha Martenes.

Kurse, Michiel Pestman, i cili përfaqëson Fadil Fazliun, tha se ai si avokat i tij nuk e ka parë fare telefonin e klientit të tij, konkretisht në dokumentin që ofron informacion se çfarë ka pasur në telefonin e Fazliut.

Megjithatë, gjyqtarja Marjorie Masselot tha se ndoshta mund të ketë lidhje me aspektet e teknologjisë, për arsye se avokati do të duhej të kishte qasje në atë dokument.

Avokati Pestman tha se dëshiron që të dijë se dëshmitarët e Prokurorisë me cilin të akuzuar ndërlidhen dhe se nëse do të flasin për klientin e tij.

Avokati Alexander Admiral që përfaqëson Hajredin Kuçin, nuk pati parashtrime. Ndërsa, ai i Isni Kilajt, Iain Edwards, tha se ka vetëm një pikë për të ngritur. Tha se për mendimin e tij, Prokuroria nuk ka të drejtë të thotë që është e parakohshme që avokatët të përfshihen në diskutime lidhur me informacionin që gjendet në telefonat e të akuzuarve.

Pestman theksoi se informacioni që gjendet në telefonin e klientit të tij, nuk duhet të prezantohet për palët e tjera.

Në anën tjetër, prokurori Joshua Hafetz tha se ata do të përfshihen në diskutime me palë lidhur me informacionin që është gjetur në telefonin e sekuestruar nga klientët e tyre.

Ai tha se kërkesat e mbrojtjes për t’u përfshirë në diskutime janë të parakohshme. Megjithatë, theksoi se nuk do të nxjerrin materiale nga telefonat e të akuzuarve që bien në kundërshtim me rregullat, por vetëm atë informacion që lidhet me çështjen.

Sipas Masselot, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt kanë thënë se ende nuk janë në pozicion për të dhënë parashtrime aktualisht sa u takon hetimeve që do të kryejë mbrojtja, duke marrë parasysh që nuk është marrë asnjë material në lidhje me këtë.

Po ashtu, edhe Martenes që përfaqëson Smakajn tha se janë në pritje të materialeve dhe pastaj do të shohin se cili është qëndrimi i tyre.

Pestman që përfaqëson Fadil Fazliun, tha se është e parakohshme që të përgjigjen në këtë pyetje. Parashtrimve iu bashkua edhe mbajtja e Kilajt dhe Kuçit.