Prokuroria sqaron se si u propozua dorëzania në lirimin e Mefail Shkodrës vitin e kaluar, veç atë kohë u sekuestruan 9 prona
Mefail Shkodra, dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra janë tre të dyshuarit kryesor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një personi tjetër, dje në Gjilan. Që nga dje kur ka ndodhur rasti, Mefaili me të bijtë janë në arrati dhe po kërkohen nga Policia e Kosovës. Por, vetë Mefaili dhe…

Lajme
Mefail Shkodra, dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra janë tre të dyshuarit kryesor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një personi tjetër, dje në Gjilan.
Që nga dje kur ka ndodhur rasti, Mefaili me të bijtë janë në arrati dhe po kërkohen nga Policia e Kosovës.
Por, vetë Mefaili dhe Edonisi ishin dy nga personat të cilët vitin e kaluar kishin “rënë në duart” e Policisë dhe ishin arrestuar për fajde, por nuk ishin mbajtur gjatë dhe ishin liruar.
Kjo ka ndodhur pasi pavarësisht kallëzimit penal që ka bërë Bujar Hoxha, i plagosuri rëndë në rastin e djeshëm, nga Prokuroria Speciale nuk kanë bërë kërkesë për paraburgim pasi sipas tyre “nuk kishin dëshmi”.
Pas kësaj, ata të dy ishin liruar me dorëzani, pasi kishin ofruar dy parcela me objekte të ndërtuara në vlerë prej 70 mijë eurove.
Prokuroria Speciale për lajmi.net ka thënë se ndaj të pandehurve, Mefail dhe Edonis Shkodra kanë sekuestruar 9 prona të paluajtshme në kuadër të hetimit,
“Njëkohësisht ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme në kuadër të këtij hetimi, dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Theksojmë se rasti është ende në fazën e hetimeve, dhe gjithashtu janë duke u siguruar prova në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Prokuroria mbetet e përkushtuar për zhvillimin e një hetimi të pavarur, të paanshëm dhe të plotë, dhe siguron opinionin publik se çdo veprim po ndërmerret në përputhje me standardet ligjore dhe institucionale”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale.
Ndërkaq, për lajmi.net, nga Gjykata Themelore në Prishtinë thanë se Mefail Shkodra dhe biri i tij Edonisi, i cili po ashtu ishte arrestuar në këtë rast, kishin ofruar një parcelë në të cilën kishte dy objekte të ndërtuara dhe që plotësonin dorëzaninë e kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vlerë prej 70 mijë euro, 50 mijë për Mefailin dhe 20 mijë për Edonisin.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale Detyrimi nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.Me datë 21.06.2024 Gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Fajdeja dhe Detyrimi.Departamenti Special me datë 15.07.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Fajdeja, Detyrimi, si dhe veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së dhe veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1 i KPRK-së, ndërsa me datë 18.07.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, për secilin, e cila masë iu është llogaritur nga data 21.07.2024 deri me datë 21.09.2024”.
Tutje thuhet se me datë 12.09.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ndërsa me datë 19.09.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj për secilin, e cila masë iu është llogaritur deri me datë 21.11.2024.
“Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro). Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh.”
Sipas gjykatës në këtë çështje penale është i përfshirë edhe i pandehuri A.R. për veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1 i KPRK-së, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale edhe ndaj të pandehurit A.R., (lidhur me të pandehurin A.R. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjete mijë euro). Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurit A.R. dhe ka obliguar të pandehurin që të lë në hipotekë njësinë kadastrale, në të cilat parcela shuma totale vlerësohet prej 236.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 50.000.00 (pesëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurin A.R.
Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special nuk ka pranuar Aktakuzë nga PSRK lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., andaj pasi kjo çështje penale gjendet në procedurë paraprake dhe gjendet në fazë të hetimeve, për më shumë mund ti drejtoheni PSRK-së.
Dje, Prokurori i rastit ka thënë në një konferencë për media, se Mefail Shkodra ka kryer disa vepra penale.
“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm, prishje e rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh, detyrim. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, ka treguar Prokurori i rastit. /Lajmi.net/